Në daljen e tij të parë për mediat, pas humbjes së të dielës në zgjedhjet parlamentare, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk dha dorëheqjen, por ngriu të gjitha funksionet e tij organizative. 

Ai u shpreh se projektin e tij do ta vlerësojnë demokratët në një garë të hapur, të ndershme dhe të barabartë.  Sipas Bashës, gjëja më e lehtë për të do të ishte të largohej, por ai u shpreh se është i vendosur që të mbajë përgjegjësi.

“Kam reflektuar thellë këto tre ditë, unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatet. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike. Për këtë arsye me efeket të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mia organizative të PD dhe ua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, për të organizuar me fuqi të plotë vendimmarrëse garën për kryetarin e PD, sipas parimit një anëtar një votë. Unë kam një projekt dhe projektin tim do ta vlerësojnë demokratët në një garë të hapur, të ndershme dhe të barabartë. Gjëja më e lehtë për mua do të ishte të largohesha, por unë e di se çfarë ka ndodhur dhe jam i vendosur të mbaj përgjegjësi, jo duke ikur, jo duke braktisur demokratët dhe qindra mijëra shqiptarë, por duke luftuar deri në fund, me ta dhe për ta

“.

Duke u ndaluar tek zgjedhjet e 25 Qershorit, Basha tha se ato u blenë masivisht dhe e konsideroi garën të pa barabartë.

“Zgjedhjet e 25 Qershorit, me gjithë përpjekjet që unë dhe PD bëmë, sërish krimi dhe paraja, presioni i shtetit nuk u ndal. Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar debatin për alternativën me shukun e parave për votën. Kjo ishte një garë e pabarabartë, por sigurisht një garë ku unë nuk kam ndërmend të konkuroj asnjëherë me të njëjtat mjete, e as të ftoj qytetarët të bëhen pjesë e saj. Ajo që ndodhi është triumf i paligjshmërisë. Me të vërtetë unë dhe PD morën një rezultat zhgënjyes, megjithatë mbi qindra mijë qytetarë refuzuan të shiten. Është e qartë se krimi, bandat, droga dhe trafikantët kanë vetëm një pengesë, vetëm një rezistencë dhe unë sëbashku me PD dhe qytetarët e ndershëm të vendit, nuk jepemi. Kjo është një luftë për jetë a vdekje, një luftë që kemi ndërmend ta vazhdojmë deri në fitore.

/tvklan.al