Lulzim Basha prej 18 ditësh vijon ta kushtëzojë vettingun me qeverinë teknike. Por kushti i tij i panegociueshëm nuk e kushtëzon ta cilësojë antikushtetuese procedurën e ndjekur nga maxhoranca në seancën plenare të së hënës.

“Lojëra kukafshehthi në shkelje të Kushtetutës, thellohet zullumi. Duhet qeveria teknike që u hap rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe më pas zbatim të vettingut sipas Kushtetutës. Pozicioni ynë është i qartë, kushtetues, kombëtar, demokratik  dhe europian”

Kreu i demokratëve ka shuar çdo alibi se pas rezistencës së opozitës në çadër fshihet ndonjë pazar i radhës. Në takimin e përditshëm me qytetarët Basha tha se zgjedhjet e lira e të ndershme janë një kusht i panegociueshëm.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë së vërtetë. Kjo betejë nuk bëhet për PD, nuk bëhet për opozitën shqiptare por për çdo shqiptar dhe shqiptare si dhe brezat që do të vinë. Nuk duam dhe nuk do të pranojmë kurrë pushtet në tavolinë, duam zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të palidhur me krimin dhe të palidhur me drogën”

Këtë të martë çadrës së opozitës iu bashkua edhe ish- zv presidenti I Parlamentit Evropian dhe ish Ministër i Mbrojtjes së Italisë, senatori Mario Mauro. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët Basha akuzoi kreun e qeverisë se nën qeverisjen e Ramës arsimi ka njohur ditët e tij më të errëta./ TV KLAN