Basha1

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha një ditë pas miratimit në kuvend të reformës territoriale tha se opozita nuk do ta pranojë kurrë hartën e cifligjeve oligarkike të miratuar me mandate të trafikuara dhe pazare të pista.

Lulzim Basha: “Dje shumica e pacilësuar Rama-Meta me mandate të trafikuara dhe pazare të pista pas zgjedhjeve miratoi në Kuvend me bujë demagogjike hartën e çifligjeve oligarkike. Reforma e shumëreklamuar u katandis dje në një hartë të interesave të errëta të Edi Ramës, Ilir Metës dhe kujdo tjetër që u përfshi për kocka dhe thërrime në këtë farsë. U katandis në një akt që rrezikon të zhdukë autonominë vendore dhe vetë kuptimin e pushtetit vendor në demokraci. E nisën pa opozitën dhe e përfunduan pa opozitën siç nuk ka ndodhur kurrë gjatë këtyre 23 viteve me reformat e mëdha të kësaj natyre, që kanë standart kombëtar dhe ndërkombëtar gjithëpërfshirjen, konsensusin politik dhe qytetar. Harta antikushtetuese e shumicës Rama-Meta është e papranushme dhe nuk do të pranohet kurrë”.

Basha tha se reforma territoriale u bë pa jo vetëm pa konsensusin e opozitës, por sipas tij dyshja Rama –Meta nuk dëgjuan as zërin e qyetarëve e aq më pak atë të faktorit ndërkombëtar.

Lulzim Basha: “Të gjithë e paskan gabim edhe opozita edhe qytetarët edhe shoqëria civile, edhe partnerët ndërkombëtar edhe Kushtetuta, vetëm dyshja Rama-Meta nuk e paskan gabim. Duhet të ishte e pamundur që kjo të ndodhte, por e bënë të mundur për një arsye të vetme, interesin kleptokratik për përfitim personal të dyshes Rama-Meta, në këtë hartë të vizatuar si me bishtin e garuzhdes, ku gjithçka është hartuar në mënyrë të tillë, saqë çdo gjë ligjore, cdo gjë europiane, çdo gjë racionale që duhej të reflektohej në këtë reformë është eleminuar sepse u prish ëndrrat, planet dhe llogaritë e llokmave vendore”.

Institucionet kushtetuese dhe zëri i qyetarëve janë sipas kreut të opozitës e vetmja zgjidhje për të dalë dalja nga kjo situatë e paprecedentë.

Lulzim Basha: “Fjalën e radhës e kanë institucionet e pavarura që kanë funksionet e gardianëve të Kushtetutës, që janë thirrur sërish në provën e qëndrueshmërisësë sistemit të përhershëm demokratik përballë akteve antikushtetuese të qeverisë së përkohshme. Fjala e fundit është e qytetarëve, që kanë të drejtë të ngrenë gishtin e akuzës ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste, ku Kushtetutai urdhëron t’i pyesë dhe të mos vendosë pa ta. Kanë të drejtë të shprehen dhe të vendosin zbatimin e drejtëprëdrejtë të Kushtetutës si ligji suprem i popullit. PD beson në qëndrimin e drejtë ligjor të institucioneve kushtetuese, beson në reagimin pa kompromis të qytetarëve si fuqia madhore e demokracisë. Ne do të jemi me ta dhe përkrah tyre në lartësinë e anagzhimeve tona të shpallura për reformën territoriale-administrative në Republikën e Shqipërisë ”.

I pyetur nëse opozita do të bojkotojë zgjedhjet lokale Basha dha këtë përgjigje:

Lulzim Basha: “Ju doni të dilni diku ku do të dalim kur të jetë koha. E kam të qartë përgjigjen dhe besoj se nuk le vend për interpretime”

Sipas kreut të demokratëve, kjo reformë bazuar në standartet europiane duhet të kryesohej nga decentralzimi e më pas të prihej nga harta terriroriale.

Tv Klan