Kryetari i Partisë Demokratike , Lulzim Basha, tha të hënën se partia e tij nuk ka zhvilluar asnjë negociatë  me Ilir Metën për krijimin e një qeverie teknike.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, gjatë një lidhjeje direkte me emisionin “Opinion” që transmetohet në Televizionin Klan, nëse ka zhvilluar negociata me Ilir Metën për krijimin e një qeverie teknike, Lulzim Basha tha se “Nuk ka negociata me Metën.”

Por, ai shtoi se çdo faktor që nuk është i mbyllur “në bunkerin e interesit, në bunkerin e krimit dhe të drogës, duhet të marrë përgjegjësi.”

“Të gjithë duhet të vendosin nëse janë për zgjedhje të lira dhe të ndershme apo janë me krimin,” tha ai.

I pyetur nëse ka një plan B nëse Rama do të refuzojë siç ka refuzuar deri më tani, Basha tha se “nuk ka një plan B, plani është zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Ai tha se tre herë që i është dhënë mundësia për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, Rama i ka dhunuar standardet zgjedhore.

“E vetmja mundësi është një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme…Është një vendim i cili nuk ka kthim…Jemi të vendosur ta luftojmë këtë betejë deri në fund,” tha Basha.

Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe opozitës janë në shesh që prej mesditës së të shtunës për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dorëheqjen e Ramës dhe formimin e një qeverie teknike. /tvklan.al