“Nuk ka patur kohë më të vështirë për policinë se këto 3 vite”, kështu shprehet kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili reagoi pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në konferencën, “Policia e Gjeneratës së Re”.

“Nuk ka pasur kohë më të vështirë për policinë se këto 3 vite, kur duhej të bënte kujdes të mos i dilte para Emiliano Shullazit, të mos i prishte punë Balilajt, të mos pengonte Habilajt, t’i hapte rrugën vrasësve me pagesë që pret Tahiri në zyrë, të mbyllte sytë kur arratisej Frroku që vrau komisarin Lamaj, të nderonte Rroshin e Bushin, të ishte në shërbim të Ndokës e ti thonte “po shef” shumë banditëve, trafikantëve, vrasësve, të gjithë miq të Edi Ramës”.

Kreu i opozitës thotë se Rama mori nga burgu policë të korruptuar dhe ua vuri në kokë si shefa policëve të ndershëm.

“Kur pranoi sot se ka policë që duhet të ishin në burg, nuk e tha pse nuk janë burg: sepse i duhen për ruajtur drogën e miqve të tij. Prandaj i mori nga burgu ata që policët e ndershëm i kishin futur aty dhe jua vuri mbi kokë si “shefa”.

Për Bashën, Kryeministri e ka tradhëtuar policinë me pazaret e tij të krimit dhe e drejton vendin me krimin.

“Rama tradhëtoi policinë për pazaret e tij me krimin. Opozita ka 3 vite që lufton me krimin, ndërsa Edi Rama ka 3 vite që drejton vendin me krimin. Policia, rendi dhe siguria do jenë më mirë pa Edi Ramën”./tvklan.al