Ndryshe nga kryeministri Rama, i cili bën përgjegjëse opozitën se po pengon aspiratën europiane të Shqipërisë, kreu i demokratëve Lulzim Basha thotë se pengesa e vetme është krimi i veshur me pushtet.

Nga Kurbini ku vijoi turin e takimeve me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Basha tha se rruga nga unioni kalon përmes një drejtësie të pavarur që ndëshkon këdo duke nisur nga ajo që ai e cilëson kupolë mafioze .

“Nuk ka Shqipëri në Europë dhe nuk mund të ketë një Shqipëri në Europë, pa një drejtësi që nuk i mbron por i ndëshkon peshqit e mëdhenj të krimit dhe të korrupsionit, duke filluar me kokën e kupolës mafioze Edi Ramën dhe shpurën e tij të ministrave të korruptuar. Pa arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit nuk ka Europë. Dhe se kjo parti ka lindur për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.”

Emërimi sipas Bashës i një prokurori politik në kundërshtim me kushtetutën dhe pa Vetting është projekt i Edi Ramës për të mbrojtur ish-ministrin Tahiri, me të cilin ai thotë se bashkon pakti mafioz i heshtjes për ruajtjen e pushtetit.

“I tmerruar nga drejtësia e pakapur politike, Edi Rama po bën gjithçka ta abortojë projektin e drejtësisë për shqiptarët. Kjo është një arsye kryesore dhe një nga arsyet më të mëdha përse do të mblidhemi më 27 janar në orën 12.00 të shtunën, për t’i thënë Edi Ramës, se Partia Demokratike, do drejtësi, se ne duam Sajmir Tahirin në burg, Vangjush Dakon në burg, Qazim Sejdinin në burg. Duam ministrat e tij të korruptuar përpara drejtësisë”, tha Basha. 

Ndaj dhe shqiptarët i fton që në 27 Janar të protestojnë për një drejtësi të pakapur, duke e cilësuar një kusht të panegociueshëm largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie antimafia.

Tv Klan