Një ditë pasi denoncoi kapjen e një personi me 800 mijë euro dhe dy patenta me emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pasi nuk iu ndal postbllokut të policisë, kreu i PD, Lulzim Basha publikon të tjera detaje. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan: 

“Burime të sigurta informojnë se:

“ 1. E gjithë shuma prej 800 mijë euro është e Saimir Tahirit, ashtu si dy patentat për drejtim mjetesh lundrimi të tonazhit 20 deri 100 ton.

2. Njëri prej këtyre mjeteve lundruese u zhvendos nga porti i Durrësit me 19 tetor, dy ditë pasi dolën përgjimet e Habilajve.

3. Orest Sota ka mohuar njohjen me Tahirin ndërkohë që rezulton se me këtë makinë kanë lëvizur disa herë jashtë shtetit bashkë.

4. Me urdhër të Çakos dhe Fatmir Xhafës dhe me porosi të Edi Ramës është fshehur nga njoftimi paraprak i policisë, shuma e parave dhe kapja e dy lejeve të drejtimit për mjete lundruese 20 dhe 100 ton, në emër të Sajmir Tahirit.”,

shkruajti Basha në Facebook. 

Orest Sota, një 25 – vjeçar me banim në Tiranë u arrestua 3 ditë më parë, pasi tentoi t’i ikë policisë në rrugën nacionale në afërsi të Balldrenit. Atij iu gjetën 2 patenta të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri dhe 800 mijë euro në kroskotin e makinës. Pak kohë pas shoqërimit atij iu komunikua masa e arrestit, ndërsa paratë iu sekuestruan pasi nuk justifikoi burimin.

Ai i tha policisë se dy patentat për mjete lundrimi të Tahirit i kishte harruar miku i tij që ishte shofer i ish-ministrit të Brendshëm. 

Sa i përket parave, Sota u shpreh se po i çonte në “Kurum” për të bërë një pagesë për hekur për llogari të babait të tij që punonte në sektorin e ndërtimit.

Lajmi u bë publik pasi Basha shpërndau një deklaratë, duke akuzuar policinë se ka fshehur ngjarjen. Kjo e fundit e përgënjeshtroi duke thënë se ngjarjen e kishte publikuar në një komunikatë zyrtare të datës 2 Nëntor, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

/tvklan.al