Protestën e 13 majit, Lulzim Basha e vlerëson si referendumin popullor që i tha po një qeverie teknike, zgjedhjeve pa droge e krime dhe me votim e numërim elektronik.

Për ata që nuk e kanë kuptuar rezultatin që ka dalë nga ky referendum sipas kryedemokratit, ai ripërsërit se zgjedhjet në 18 qershor nuk do ketë dhe nëse republika e vjetër siç e cilëson ai maxhorancën aktuale nuk tërhiqet, atëherë ata që protestuan një ditë me parë do të marshojnë për ta përmbysur atë.

“Nëse Republika e Vjetër, e krimit, drogës dhe e vesit, nuk tërhiqet nga plani ogurzi, i papranueshëm për shumicën dërrmuese, për të bërë zgjedhje fasadë, për të zgjedhur parlament dhe qeveri me diktatin e krimit, për t’u angazhuar në një proces farsë elektoral, monist, nëse nuk pranon përmes dialogut t’i hapë rrugë zgjidhjes së butë me zgjedhje të lira, atëherë Republika e Re do të marrë në dorë me të gjitha format dhe mënyrat fatet e qytetarëve, ligjin e ri, kushtetutën e re, paqësisht do të përmbysë republikën e vjetër.

Për skeptikët brenda dhe jashtë partisë dhe kundërshtarët e asaj që Basha e quan kauza e opozitës, ka një tjetër mesazh.

“Ne nuk luftojmë për interesa personale apo pasurinë tonë…”, shprehet ai.

Takimin e kësaj të diele në çadër, Lulzim Basha veç mesazheve e shfrytëzoi dhe për të falenderuar ata që e mbështetën, mes të cilëve ai zgjodhi të veçojë aleatët e tij që nuk e kanë braktisur në këto 85 ditët e kësaj proteste./ TV KLAN

***

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka falenderuar ditën e sotme nga “Sheshi i Lirisë” pjesëmarrësit e protestës së djeshme. Ai vuri në qendër të vëmendjes qytetarët dhe shprehu se shteti do japë llogari para tyre.

Edhe njëherë ai theksoi se kauza për zgjedhje të lira e të ndershme nuk do të binte. Në thirrjen për republikën e vjetër Basha tha se nëse nuk do kishte dialog politik, republika e re do merrte në dorë fatin e qytetarëve me çdo kusht.

Në mesazhin drejtuar atyre ai shprehu:

Zgjidhja e dytë është ose do e çmontojmë krimin dhe do rikthejmë pushtetin dhe Shqipërisë qytetareve për zgjedhje të lira e të ndershme ose do ta përmbysim Republikën e vjetër përmes marshimit, bashkimit, qëndresës popullore të qytetarëve shqiptarë. Rrugë tjetër nuk ka. Në një forme apo tjetrën droga dhe krimi do çmontohen dhe Republika e vjetër do të përmbyset.

Me popullin nuk mund të luhet më. Krimi dhe droga duhet dhe do të çmontohen. Ose përmes një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira ose përmes përballjes totale mes të vjetrës që do ikë dhe të resë që ka ardhur. Le ta dinë skeptikët, cinikët se ajo që nisëm dje nuk do të ndalet

”, tha Basha./tvklan.al