Shqiptarë mirë se vini!

Jemi mbledhur të gjithë sot këtu sepse kjo qeveri e ka çuar vendin në mjerim, varfëri dhe kaos. Tani ju që ju ka vjedhur xhepat dhe shtëpitë tuaja do t’ju vjedhë dhe zgjedhjet.

Ju jeni mbledhur për të thënë boll më! Boll kemi duruar!

Ne nisim rrugëtimin e një fillimi të ri për të cilin ka nevojë çdo shqiptar. Duam zgjedhje të lira e të ndershme. Duam ndarjen e politikës nga krimi, duam punë, dinjitet, drejtësi, duam një të ardhme dinjitoze që na bën krenar për vendin tonë. Sot jemi bashkuar në këtë shesh sepse kemi besim për një jetë më të mirë.

Ose do bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do ketë! Rrugë të mesme nuk ka. Zgjedhje të njollosura nuk do t’i pranojmë. Zgjedhjet e standardeve të krimit në vend të standardeve të Evropës, për të cilat ka nevojë kaq shumë vendi ynë, çdo shqiptar, çdo fëmijë, i ri dhe e re, nuk do të ketë!

Sot jemi këtu për ta shpallur këtë vendim me zë të lartë. Po! Duam zgjedhje të lira e të ndershme! Duam ndarjen e politikës nga krimi. Duam një të ardhme dinjitoze. Rrugë të mesme nuk ka. Rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhje për fasadë nuk do t’i pranojmë. Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë. Zgjedhje që dhunojnë vullnetin e shumë shqiptarëve, nuk do t’i pranojmë. Partia Demokratike lindi në rrugë e në sheshe me popullin në krah. Sot ne prapë kemi nevojë për një lëvizje të madhe kombëtare dhe demokratike. Kjo qeveri palaçosh ka dështuar. Ju e dini këtë. Kjo mazhorancë është një dështim total, ju e vuani këtë. Kryeministri është turp i vendit, ju e shihni këtë.

Politikanët po ju shkatërrojnë jetën. Droga, korrupsioni nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Krimi i organizuar, varfëria, emigrimi, kjo qeveri nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Bashkëqytetarët e mi, Shqipëria po shkatërrohet, sepse ky sistem nuk punon.

Një grusht kriminelësh dhe pushtetarësh po gëzojnë gjithçka ndërsa shqiptarët kanë marrë rrugët e botës. Ata dështuan me 300 mijë vendet e punës me shëndetësinë falas. Dështuan me demokracinë dhe lirinë e vërtetë. Si mund të jenë të lirë shqiptarët kur kanë frikë nga kriminelët e veshur me pushtet, frikë për të votuar të lirë.

Kjo qeverisje ka detyruar 300 mijë shqiptarë të braktisin vendin, kjo duhet të marrë fund. Në kemi qenë në pushtet dhe kemi qeverisur. E dimë sa e vështirë është, që duhet kurajo për të marrë vendimin e duhur çdo ditë. Ne e vendosëm Shqipërinë në vëmendjen ndërkombëtare, e futëm në NATO. Ne punuam për të mirën e vendit tonë. A bëmë mjaftueshëm? Jo. Por a e lamë fatin tuaj në dorë të krimit e të kriminelëve? Jo. A jemi ndryshe nga këta? Po.

Sot dua të ndaj diçka me ju dhe mendoj se ka ardhur koha ta dëgjoni. Unë jam gati t’ju udhëheq nga rruga e kaosit në rrugën drejt të ardhmes. Jam gati të ndërtoj me ju një shoqëri të re. Po! Jam gati sot më shumë se kurrë!

Tani kam një pyetje të thjeshtë, për ju të qindra-mijëra shqiptarë: A jeni gati të luftojmë bashkë? Të luftojmë bashkë për Shqipërinë, të ngrihemi bashkë për zgjedhje të lira për të shporrur qeverinë e krimit, qeverinë e korrupsionit? Bashkë për një qeveri tjetër të njerëzve, të qytetarëve. Sot qëndroj këtu bashkë me ju për t’ju dhënë fjalën se do të punoj pa pushim për të nisur aspiratën e përbashkët për një jetë më mirë për ju dhe fëmijët tuaj. Miqtë e mi gjithçka në jetë varet nga vendimet që ne marrim. Sot bashkë do të marrim një vendim të madh, ky vendim është në dorën tuaj. Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është një fatalitet i pashmangshëm. Ju e keni shkruar njëherë historinë. Unë e mbaj mend si të ishte dje 8 dhjetori.

Sot unë dua që me ju të gjithë bashkë të marrim një vendim tjetër të madh. Të zgjedhim mes frikës ose kurajos. Mes oportunizmit ose sakrificës, unë kam vendosur të zgjedh kurajon, përgjegjësinë, sakrificën. Ka ardhur koha miqtë e mi të marrim vendimin e madh për të bërë realitet ëndrrat tona, për t’u ngritur bashkë. Vendimin për të vrarë frikën dhe për të caktuar vetë fatin e fëmijëve tanë. Vendimin për të bashkuar e për të bindur të gjithë ata që e duan Shqipërinë me zemër, për të dekriminalizuar shtetin, për të zhdukur ekonominë e drogës, për t’i kthyer njerëzve pushtetin. Ne do të qëndrojmë në këtë shesh derisa të sigurojmë njëherë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme.

Unë do të qëndroj këtu në shesh, ju ftojmë të gjithëve të qëndrojmë sëbashku, për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme që vijnë vetëm më shporrjen e qeverisë së krimit. Një qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është vendimi im!

Ne ngrihemi bashkë, fitojmë bashkë, Shqipëria fiton me ne!/tvklan.al