Basha: Për çdo vendimmarrje do pyeten strukturat



Mandatin e tij të dytë në krye të Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se e kërkon për të vijuar betejën me krimin që sipas tij deformoi vullnetin e shqiptarëve në 25 qershor. Ndonëse u vu nën akuzë se anashkaloi strukturat në shkelje të statutit për marrëveshjen me Edi Ramën dhe listat e kandidatëve për deputetë, Lulzim basha u premtoi demokratëve të Beratit, Kuçovës e Poliçanit se pas rizgjedhjes së tij në krye të PD-së ata do të jenë pjesë e vendimmarrjes në parti.

Sot ndodhem për herë të dytë para jush në një garë statutore me një anëtar-një vote, për kryetarin e Partisë Demokratike. Në çadrën  e lirisë iu folëm qytetarëve për Republikën e Re, si një realitet i ri, një raport i ri midis pushtetit dhe qytetarit; i përkthyer në disa forma, në sistem të ri elektoral me deputetë të ardhur drejtpërdrejtë dhe pa filtra partiakë nga populli, si një balancë e re kushtetuese midis degëve të ndryshme të pushtetit; Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit, gjykatave. Por po kështu, iu thamë shqiptarëve se ky është një raport që duhet të fillojë brenda familjes tonë. Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike”, theksoi Basha.

Basha tha se nuk do të ndalet në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, duke ia faturuar humbjen në zgjedhje kundërshtarit të tij politik, të cilin e akuzon se përmes parave tyre krimit e drogës bleu votat e shqiptarëve.

 “Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre akuza që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri. Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së indentitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës”.

Sipas kryetarit të vetëngrirë Basha vetëm Partia Demokratike ka moralin dhe vlerat për t’i dhënë shqiptareve zgjedhje të lira e të ndershme.

/Tv Klan

Kategori
PolitikaTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*