Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat, lidhur me lirimin e Ramush Haradinajt nga gjykata e Colmarit të Francës. Basha tha se ky është vendimi i duhur dhe Serbia duhet të ndërgjegjësohet një herë e mirë, e të anulojë urdhërrarrestet e saj për luftëtarët e Kosovës.

Deklarata e plotë:

Ndava me kënaqësi lajmin se drejtësia franceze mori më në fund vendimin e duhur për Ramush Haradinajn, duke e lënë atë të lirë për t’u kthyer në atdhe. Vendimi i sotëm është drejtësia e plotë, pas shumë javësh qëndrimi në Francë.

Urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë, ndaj Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj politik.

Me vendimin e sotëm të drejtësisë franceze, Serbia duhet të ndërgjegjësohet një herë e mire, e të anulojë urdhërrarrestet e saj për luftëtarët e Kosovës.

Po kështu është detyrë kryesore e qeverisë shqiptare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe kërkesa ndaj vendeve të tjera, për të detyruar Beogradin të heqë dorë nga praktika e turpshme, e padrejte dhe provokative e urdhër arresteve te tilla në mënyrë që padrejtësi si kjo me Ramushin të mos përsëriten më./

tvklan.al