Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premtoi të martën se gjatë mandatit të parë të qeverisë Demokratike pas zgjedhjeve të ardhshme do të marrë fund diskriminimi politik për mësuesit, dhe rrogat e tyre do të dyfishohen.

“Për mësuesit e mirë, vendi i punës do të jetë i garantuar, pavarësisht nëse janë me partinë Demokratike apo me Partinë Socialiste,” tha Basha, i cili u zotua se të gjithë mësuesit do të kalonin në një testim.

Ai po ashtu foli për një program me dy shtylla për rimëkëmbjen e shkollës shqiptare, vendimtare për të ardhmen e vendit.

“Shtylla e parë është kthimi i orareve të fëmijëve, nxënësve shqiptarë në parametra evropianë, që do të thotë se fëmijët e shqiptarëve nuk do të bredhin rrugëve pas 11:30, 12:00, apo 13:00, por do t’u krijohen kushtet që pas mbarimit të mësimit të kenë mundësi, duke konsumuar edhe drekën brenda shkollës, t’i kenë orët e tyre të kryerjes së detyrave të aktivitetit sportiv, kulturor dhe të mësimit të gjuhëve të huaja…Të gjitha të paguara nga taksapaguesit dhe qeveria shqiptare që do të zgjidhet me votë të lirë dhe të ndershme.”

Basha tha se “gjithçka është e kalkuluar, gjithçka është e kostuar, gjithçka është e përballueshme, nga një buxhet i çliruar nga kthetrat e oligarkëve, hajdutëve dhe kusarëve të lidhur me qeverinë.”

“E dyta, ne dyfishuam rrogat e mësuesve, por prapë këto janë poshtë, shumë poshtë nivelit europian, ndaj unë dua t’ju jap fjalën sot se në fund të mandatit të parë, të qeverisë së parë të republikës së re, rrogat aktuale të mësuesve do të dyfishohen përsëri,” tha ai.  

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në një takim me mësuesit dhe në Çadrën e Protestës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit./tvklan.al