Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim Drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielson me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me cështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.

Në një njoftim për mediat thuhet se, Basha u shpreh se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Nga ana e tij Drejtori i Integrimit në BE mësohet se vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe ne opozitë, në veçanti për Reformën në Drejtësi.

Moszbatimi i ligjit të Dekriminalizimit si provë e mungeses se vullnetit për t’ u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit, është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor

, u shpreh Basha.

“Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës. Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbeshtetje qeveritare”

, tha më tej Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe Drejtori për Zgjerimin sëbashku ndanë vlerësimin se vëmendja maksimale për çështjet e mprehta që po vuan vendi, si droga dhe krimi i organizuar, zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit, është e një rëndësie kardinale në përballimin e këtyre sfidave./tvklan.al