Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me senatorin John McCain, i cili është duke bërë një tur vizitash në Ballkan. Lideri i opozitës i shprehu vlerësimet më të larta Senatorit McCain dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e tij ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve.

Basha i përcolli mikut të çmuar amerikan gjithashtu, falenderimet për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe sidomos për anëtarësimin e saj në NATO, duke rikonfirmuar vendosmërinë se Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të aleatit të saj strategjik.

Kryetari i opozitës përcolli shqetësimin e madh për gjendjen kritike të vendit në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar për shkak të shumëfishimit galopant të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në Parlament, Bashki dhe funksione të larta publike në kundërshtim dhe shkelje të ligjit për dekriminalizimin.

Ky shqetësim i ngritur me nota të rënda edhe në raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe EUROPOL-it demostron sa i madh është rreziku që i kanoset demokracisë dhe stabilitetit të vendit nga përfshirja dhe roli i krimit në vendimmarrjen politike.

Zgjedhjet e ardhshme janë totalisht të pamundura pa çmontuar rrezikun nga paratë e drogës dhe nga kriminelët e interesuar për ruajtjen e gjendjes së tanishme të kapjes së shtetit.

Vetëm pastrimi i politikës nga krimi dhe lufta efikase kundër drogës dhe krimit përmes një qeverie teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të garantojnë stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë, theksoi Basha.

Ky është një detyrim madhor i politikës ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe ndaj aleatëve, sepse si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet të garantojë standardet dhe mbrojë vlerat e demokracive perendimore ku më themelorja është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Duke rikonfirmuar gatishmërinë dhe ftesën e opozitës për arritjen e një marrëveshje politike për qeverinë teknike dhe mandatin e saj përmes dialogut politik, kryetari Basha nënvizoi rëndësinë që ka përgatitja me seriozitet dhe përgjegjshmëri e këtij dialogu në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

Partia Demokratike, theksoi Basha, do të jetë përherë garant e vlerave të përbashkëta euro-atlantike të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor që përbëjnë aksin e miqësisë dhe aleancës strategjike shqiptaro-amerikane. 

/

tvklan.al