Entuziazmi i stafit të Lulzim Bashës për një foto të bërë me Presidentin amerikan, Donald Tramp e ka tejkaluar edhe euforinë e stafit të Sali Berishës, i cili pas zgjedhjes si president në vitin 1992 u prit për disa orë në Shtëpinë e Bardhë nga ish Presidenti amerikan i kohës, Xhorxh Bush i vjetri.

Si Lulzim Basha, Sali Berisha nuk u prit as kur mori ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në samitin e Bukureshtit, që shënoi një prej momenteve historike të Shqipërisë.

Ndërsa stafi i Bashës, doli në Rinas me flamuj në duar, duke e pritur kryetarin e Partisë Demokratike si hero, vetëm se u takua me presidentin Trump në një takim të javës së Shtëpisë së Bardhë për Fuqinë Punëtore, gjatë të cilit bëri edhe një foto me të.

Vetë Lulzim Basha sapo mbërriti në Rinas, e quajti një ngjarje të jashtëzakonshme takimin me Presidentin amerikan.

 “Jeni nga Tirana, Fushë-Kruja, ju falenderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme, për këta flamuj qe valëviten krah për krah me aleatin tonë SHBA, nga ku po kthehem nga një takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Trump…E jashtëzakonshme mbështetja e Trumpit  për Shqipërinë e shqiptarët. Kjo është ajo që bota, aleatët tanë presin prej nesh. 10 ditë për tu ndarë një herë e mirë me republikën e mashtrimeve, korrupsionit e drogës e kriminelëve dhe për t’i hapur dyert republikës së re. Le të marshojmë, fitore e madhe na pret në 25 qershor.”

Euforia e stafit të Lulzim Bashës nuk u ndal në Rinas. Me makina e flamuj amerikan e shoqëruan kryetarin e tyre deri në Selinë Blu./Tv Klan