Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i saj Lulzim Basha, në një deklaratë për gazetarët tha se problemi i drogës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë duke u bërë kryefjalë në mediat ndërkombëtare. Sipas Bashës, kultivimi i drogës në Shqipëri bëhet nga një kontigjent policësh të lidhur me trafikantët.

Basha e akuzoi Ramën për censurë mediatike, duke u shprehur se regjimi i tij narkotrafikant po mundohet të mbyllë ekranet dhe gazetat e vendit.

“Problemi i drogës i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Sot kryefjalë në mediat ndërkombëtare është regjimi i narkotrafikantëve në Shqipëri. Ky regjim është i zhytur në krim e korrupsion. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë prej 2 vitesh, ndërsa Edi Rama është përgjigjur me përqeshje e censurë. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se përse Rama nuk e do dekriminalizimin. Pa këtë të fundit nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Unë kam një thirrje për të përballë aleancës së krimit dhe drogës të ndërtojmë një koalicion të madh vlerash.

Basha paralajmëroi se në seancën e të enjtes në Kuvend, Partia Demokratike do të nisë një betejë të ashpër sa i përket situatës së drogës në vend, për të finalizuar atë që ai e quajti rrëzimin e pushtetit të drogës në Shqipëri. /tvklan.al