basha-ilahi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim përfaqësuesit e FMN-së Nadeem ILAHI dhe Jens Reinke, të cilëve u shprehu shqetësimin mbi situatën e sektorit energjetik në vend, ku dënoi aksionet selektive të qeverisë dhe faktin se Kryeministri kërcënon e ndëshkon qytetarët që s’kanë mundësi financiare, në vend se t’u japë atyre mundësi për të bërë shlyerjen e detyrimeve.

Basha tha se nuk ka një reformë në sektorin energjetik, por thjesht një masë shtrënguese në kurriz të shqiptarëve, duke rritur çmimin e energjisë, duke ua ndërprerë energjinë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi janë pa punë dhe në mjerim ekonomik.

Kreu i opozitës shprehu edhe shqetësimin për mungesën e transparencës që tregon qeveria në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë.

Sipas tij 3 agjenci shtetërore kërkojnë rritje të çmimit ndërsa qeveria nuk u thotë shqiptarëve sa do të jetë ai.

Basha u kujtoi përfaqësuesve të FMN se qeveria erdhi në pushtet me premtime si; ulja e çmimit të energjisë, heqja e TVSH-së për energjinë, por nuk bëri asgjë.

Duke u ndalur në buxhetin e vitit 2015, Kryetari Basha tha se janë rritur shpenzimet qeveritare ndërkohë që janë ulur investimet, janë ulur fondet për mbështetjen sociale, nuk është shtuar numri i infermierëve apo mësuesve, por i policëve dhe i punonjësve të INUK.

Basha tha se rritja e re e taksave është e papranueshme ndërkohë që rritja e një viti më parë ka dhënë pasoja dramatike në ekonominë e vendit.

Tv Klan