Letra e 6 senatorëve amerikan drejtuar Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson për Lulzim Bashën është një sinjal i qartë se përmes projekteve fasadë kryeministri Edi Rama po kërkon të kapë zgjedhjet. Në ditën e 26 të protestës kreu i demokratëve tha se tashmë opozita ka mbështetjen e ShBA-ve dhe Brukselit për kauzën e saj për zgjedhje të lira e të ndershme.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:  

Rama ka përdorur rrjetin e Soros për të bërë propagandë dhe për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin. Ky ka qenë realiteti deri para pak kohësh. Siç po ndodh ditë për ditë ky nuk është më realiteti. Asgjë nuk është më gjë si më parë që pas 18 shkurtit. Qytetarët po marrin në dorë fatet e tyre. Fasada është shkërmoqur para syve të shqiptarëve. Arroganti që krekosej dhe nëpërkëmbte qytetarët sot është struktur dhe po merr koka turku shërbëtorët e vet me shpresën se do ti shpëtojë gjykimit popullor.

Basha ripërsëriti qëndrimin e opozitës për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, që sipas tij do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme./ TV KLAN