BASHA TEK SHKOLLA1000 nxënës që frekuentojnë shkollën 9- vjeçare “Ahmet Gashi” në Laprakë do të mësojnë këtë vit shkollor në kushte mjaft të mira, falë ndërtimit të shkollës së re.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha teksa vizitoi këtë shkollë, falenderoi investitorin që ka punuar pa marë ende pagesat, gjë për të cilën fajësoi Kryeministrin e vendit.

Lulzim Basha: “Në këtë vepër publike të sapo përfunduar, sikundër në çdo vepër tjetër publike, të qytetarëve të Tiranës, të qytetit të Tiranës, jo të Lulzim Bashës, as të Partisë Demokratike, Edi Rama ka vendosur një bllokadë të paparë e të padëgjuar ndonjëherë, atë që s’e ka bërë asnjë kryeministër në historinë e Shqipërisë, as Fatos Nano, as Sali Berisha, as Aleksandër Meksi, as Pandeli Majko, madje as Ilir Meta, ja ka dalë që ta bëjë Edi Rama, ish-kryebashkiaku. Sot po i japim një përgjigje! Sado luftë politike të zhvillojë ndaj Bashkisë së Tiranës, kundër qytetarëve të Tiranës, unë si kreu i Bashkisë jam i vendosur ta drejtoj Bashkinë e Tiranës në përmbushje të misionit të saj për t’i shërbyer qytetarëve të Tiranës”.

Basha u shpreh se Kryeministri po ndëshkon kolektivisht qytetin për shkak të obsesioneve të veta politike.

Lulzim Basha:“Kurrë më parë një kryeministër nuk ka arritur nivele të tilla papërgjegjshmërie dhe mllefin që të ndëshkojë kolektivisht një qytet të tërë, për shkak të obsesioneve të veta politike. Ai e ka bllokuar jo prej pamundësisë, por prej dufit, prej mllefit politik që i ka zënë sytë. Kjo është situata që përballet sot Bashkia e Tiranës, buxheti i së cilës është ç’bllokuar në korrik me urdhër gjykate, sepse Edi Rama e bllokoi”.

Basha tha se me shkollën “Ahmet Gashi” hapet sezoni i përfundimit të disa veprave publike, shumë prej të cilave ende nuk janë paguar.

Tv Klan