Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha të martën se Kryeministri Edi Rama e shiti Saimir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij, teksa paralajmëroi se në ditët në vijim do të dalin emra ministrash të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. 

“Provat e hetimit nga anti-mafia italiane tregojnë se grupi narkotrafikant i drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëri i Saimir Tahirit, i ka paguar shuma marramendëse në dorë Tahirit, si dhe ka përdorur për trafik droge Audin e Saimir Tahirit. Provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës.”

Kryedemokrati tha se 1400 herë PD-ja e kishte denoncuar Tahirin për lidhjet e tij me organizata kriminale dhe trafikun e drogës.

“1400 herë Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin dhe ka sulmuar opozitën. Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e antidrogës, Dritan Zagani kur ai denoncoi me fakte lidhjet e Tahirit me Habilajt.”

Basha tha se Rama tani e shiti Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.

“Edi Rama e ka quajtur Tahirin bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë dhe ministrin e tij më të suksesshëm. Këto janë fakte. Rama i ka dalë në krah Tahirit për çdo akuzë, ndaj sot nuk ka shqiptar të mendojë se Tahiri ka bërë në kokë të tij. Sot Edi Rama e shiti Saimir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij. Sepse Tahiri ka qenë as më pak, as më shumë se ndërmjetësi i Ramës me Habilajt, Shullazin dhe bandat e tjera mafioze në vend”.

Basha tha se Tahiri është vetëm një nga peshqit e mëdhenj të organizatës kriminalo-politike.

“Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Edi Ramës. Gjithçka është bërë me dijininë e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i drogës së Habilajve”. 

“Këto janë prova që tregojnë edhe skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet”,

tha Basha, duke shtuar se me

“Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i drogës në Shqipëri”.

Basha tha më tej se të mërkurën PD do të thërrasë një tryezë me të gjithë spektrit opozitar.

/tvklan.al