613 kilogramët e kokainës të sekuestruara në Durrës përplasën në Kuvend opozitën me maxhorancën. Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ka garantuar politikisht porositësit e kësaj ngarkese, që sipas tij do të përpunohej në laboratorët e ngritur në Shqipëri.

“Fatmir Xhafaj ka zbatuar të njëjtën skemë që zbatoi Edi Rama dhe Saimir Tahiri në rastin e Xibrakës. Kapet shoferi, kapet hamalli. Ata që mund të tregojnë bosët e vërtetë, ia mbathin. Droga do të shkonte në një laborator në territorin shqiptar për përpuqnim të mëtejshëm”.

Ndërsa ish – kryeministri Berisha akuzoi  Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ka prishur provat duke bllokuar hetimin për kokainën e sekuestruar në Durrës, që sipas tij implikon vëllain e kryeministrit.

“Ishte drogë për klanin e vëllezëve Rama, ishte drogë për Olsi Ramë.Fatmir Xhafaj me urdhër të Ramës ,prishi provat”.

Por Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i cilësoi antikombëtare akuzat e opozitës, duke shpresuar në arrestimin shumë shpejt të organizatorëve të trafikut.

“Ndihem krenar të pohoj me përgjegjësi të plotë se një operacion i tillë, suksesi i të cilit provon qartë gadishmërinë dhe efiçencën profesionale të organeve ligj zbatuese shqiptare, është një produkt, i koordinimit të shkëlqyer mes institucioneve tona ligj zbatuese. Kam vlerësuar qysh në momentet e para dhe në vazhdim, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për identifikimin dhe zbulimin e autorëve të këtij trafiku, të cilët shpresoj se shumë shpejt do të jenë përpara përgjegjësisë së ligjit, falë edhe këtij bashkëpunimi”. 

Për paratë e drogës dhe krimit Kreu I opozitës Lulzim Basha replikoi edhe me Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.

“Droga po kap çdo sektor të ekonomisë, duke filluar me ndërtimin, në veçanti në ndërtimin në Tiranë, duke e kthyer Bashkinë e Tiranës një lavatriçe të parave të drogës, me një shumëfishim të lejeve të ndërtimit, sipërfaqeve të ndërtimit, që nuk justifikohet nga kredia bankare”,

tha Basha

.

“Ndërtimi është financuar nga rritja e kredisë, 67 përqind. Dhe huatë e reja për pasuritë e paluajtshme janë rritur me 8 përqind. Vlera e lejeve të ndërtimit në Republikën e Shqipërisë në 2014-n është 364 milionë dollarë, ndërsa në 2016-n është 260 milionë dollarë

“, u shpreh Ahmetaj

.

“Raporti i Bankës Botërore thotë qartë se 70 përqind e familjeve më të varfra në Shqipërisë janë përjashtuar nga ndihma ekonomike”,

vijoi Basha.

“Po Banka Botërore që i referoheni, në 2012-n thotë është viti, pra e cilëson 2012-n si viti ku varfëria arriti kulmin”,

u kundërpërgjigj Ahmetaj.

Basha e Ahmetaj u përplasën gjatë seancës plenare edhe për përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familje në nevojë.

Tv Klan