Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se është duke penguar drejtësinë lidhur më çështjen “Tahiri”.

“Një shteti ku Rama vetë i bëhet pengesë drejtësisë duke e mbrojtur Tahirin teksa bën gati gijotinën për të varfëritë që s’kanë mundësi të paguajnë ujin”.

Sipas, Bashës qytetarët e kanë parë 4 vite sesi ka qeverisur kryeministri Rama, dhe se ai ka kërcënuar me burg ata që nuk sigurojnë dot bukën e gojës.

Këto akuza kryetari i Partisë Demoktatike i ka bërë në një postim në rrjetin social Facebook.

Statusi i plotë:

Se cili është shteti i Edi Rames, u pa qartë çdo ditë këto 4 vite, dhe e provuan në kurriz shumica e shqiptarëve. Sot shteti i tij i krimit është shpalosur dhe në mijëra faqe të drejtësisë italiane. Një shtet që funksionon i gjithi në shërbim të trafikantëve. Një shtet ku ministri i brendshëm është shefi i madh i bandës. Një shteti ku Rama vetë i bëhet pengesë drejtësisë duke e mbrojtur Tahirin teksa bën gati gijotinën për të varfërit që skanë mundësi të paguajnë ujin.

Edi Rama është i vetmi kryeministër që alternativë për qytetaret ka dhunën, presionin dhe burgun, ndërsa mbrojtjen, kujdesin dhe lehtësitë i ka për trafikantët me të cilët fiton dhe ndan pushtetin.

Një kryeminister i përgjegjshëm s’do gjente qetësi derisa të krijonte mundësi për qytetarët e tij që s’paguajnë dot faturën e ujit. Ndërsa Rama i kërcënon me burg ata që nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Sigurisht që për ata që janë abuzuesit më të medhenj nuk do ketë asnjë problem, sic ndodhi me aksionin famëkeq të energjisë ku u shtynë drejt vetëvrasjes 12 kryefamiljarë, ndërsa oligarkët e lidhur me qeverinë vazhduan abuzime marramendëse me faturën e energjisë.

Një kryeministër i përgjegjshëm do orientonte investimet që hapin vende pune, do ulte taksat për biznesin, do rriste pagesën për familjet në ndihmë ekonomike dhe përmes buxhetit të shtetit, do merrte përsipër faturën e energjisë dhe ujit për familjet në pamundësi ekonomike. Dhe ky do ishte shteti për qytetarët, për hallet e përditshme të njerëzve.

Por shteti i Edi Ramës është i gjithi në shërbim të tij dhe të kriminelëve të tij, ai i shkel me këmbë qytetarët, atij nuk i duhen qytetaret. Shteti i Ramës është i zhytur në krim dhe i kapur nga krimi./tvklan.al