Ulja e Ilir Metës në karrigen e Presidentit, për Lulzim Bashën është pazar mes dy krerëve të maxhorancës. Duke folur nga çadra e opozitës, kreu i demokratëve  tha se me ngjitjen e Metës në krye te shtetit, kryeministri Rama firmosi njëherazi edhe dështimin e reformës në drejtësi.

“Dita e sotme konfirmon se këta konsiderojnë gjithçka plaçkë e çiflig të tyre. Shikoni ku ka përfunduar posti i Presidentit të Republikës, që pasi i hoqën me ligj çdo kompetencë dhe e shndërruan në një zyrë me më pak fuqi veprimi se drejtori i postës në Vlorë, s’po them për drejtorin kombëtar, tani e trajtojnë si një rifuzho, si një plaçkë për të kënaqur orekset e njëri-tjetrit dhe për të mbyllur pazarin e pisët me anë të të cilit mendojnë se do të asgjësojnë demokracinë shqiptare. sot ka firmosur dështimin e tij total me reformën në drejtësi që e përdori si kalë beteje, si alibi për dështimin e tij të madh kombëtar.”

Kreun e qeverisë  e paralajmëroi të ndalë komplotin ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme, teksa I kujtoi se e vetmja garanci është qeveria teknike.

“Dua t’i them qartë sot Edi Ramës, se ën asnjë mënyrë, në asnjë formë, në asnjë moment nuk do të lejojmë të marrësh peng demokracinë shqiptare dhe të drejtën sublime për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ora e përballjes po afron, shqiptarët janë të bashkuar dhe po bashkohen nga ora në orë dhe nga dita në ditë”, tha Basha.

Basha tha se opozita nuk do të ndalet deri në fitoren e kauzës së saj për zgjedhje të lira e të ndershme, që sipas tij do të vijë nga bashkimi paqësor I shqiptarëve.

Tv Klan