BASHANë Kuvendin Zgjedhor të Demokratëve, në Degët 1, 2 dhe 11 në kryeqytet, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi dyshen Rama – Meta se me zullumet e tyre po u largohen çdo ditë më shumë premtimeve të 23 Qershorit.

Lulzim Basha – Kryetar i Partisë Demokratike: “Shqiptarët po vetëdijësohen se jo vetëm që nuk do i mbajnë premtimet këta dy zullumqarë por gjithnjë e më shumë po i largohen e do i largohen përfaqësimit të votës së 23 qershorit, pse atë votë e kanë marrë edhe me ndihmën e krimit e të mafies e cila sot kërkon haraçin, sot është në Parlament e ka guxim të kërcënojë edhe opozitën. Pse s’i kaluan ligjet të enjten? Sepse disa prej tyre s’kishin kohë të ishin në Kuvend, se po hanin tortën në ditëlindjen e Frrokut. Torta u vonua. Cila ishte torta që u vonua? Zhdukja e dëshmitarit nga drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve është një skenar rrënqethës që të kujton mafien më të zezë”.

Basha premtoi se këtij realiteti, Partia Demokratike do t’i përgjigjet duke zgjedhur njerëzit më të mirë në krye të strukturave drejtuese, të zgjedhur përmes votës së lirë dhe me besimin që kjo forcë politike po zgjon tek çdo qytetar.

Lulzim Basha – Kryetar i Partisë Demokratike:“Kësaj rruge që i jemi futur do i dalim në krye vetëm duke konsoliduar votën e lirë dhe përgjegjësinë e çdo anëtari dhe nga ana tjetër respektimin e kontributit dhe meritave të gjithsecilit prej nesh përmes vlerësimit nga anëtarësia. Në këtë mënyrë, do nisim një praktikë të re, të hapur e transparente, ku asnjë kontribut të mos nëpërkëmbet dhe askush të mos marrë më pak apo më shumë se ç’meriton”

Tv Klan