Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar të martën Kryeministrin Edi Rama se po saboton procesin më të rëndësishëm në reformimit të drejtësisë, atë të Vettingut.

Edi Rama ka vendosur ta sabotojë që në hapin e parë zbatimin e Vettingut. Me urdhrin e Edi Ramës mazhoranca ka shkurtuar në komision parlamentar me pothuajse 40 përqind, kërkesat e komisioneve të Vettingut.

 

Edhe sot e dëgjuam Edi Ramën duke e justifikuar këtë si një hap për të mbrojtur paratë e taksapaguesve, por është i njëjti Edi Ramë që e ka zgjidhur qesen dhe paguan më shumë personel në Kryeministri, se paguan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë

”, tha Basha për gazetarët.

Ai akuzoi Ramën se po shpenzon shuma të mëdha parash për ata që ai i quajti “sharës me pagesë”.

Gjysmën i ka sharës me pagesë të opozitës, të mediave, të çdokujt që del kundër praktikave të korruptuara apo vendimeve të qeverisë së tij. Para për sharës me pagesa ka plot. Qindra mijëra euro, miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë hidhen për të paguar njerëz që nuk u sjellin asnjë shërbim qytetarëve, ndërsa për procesin më të rëndësishëm që është procesi i reformimit të drejtësisë nuk gjen para për të mbështetur me këshilltarë programet e Vettingut.

Basha këtë e quajti “

një hap djallëzor, sabotim të Reformës në Drejtësi

”.

Kryedemokrati akuzoi Ramën se me fjalë ka qenë kampion i Vettingut, ndërsa me fakte me fakte ka qenë mbrojtës i bandave. Ai i bëri thirrje të zgjedhë njërën syresh.

Me fjalë Edi Rama ka dalë si kampion i Vettingut, me fakte del kundër Vettingut, po saboton që në hapin e parë Vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë: Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë. Nuk mund të jetë edhe mbrojtësi dhe përfituesi i Bandës së Elbasanit, të bandave të Durrësit, të Vlorës, të Shkodrës e të Lezhës, e në krahun tjetër të nda dalë si kampion i drejtësisë. Të dyja nuk rrinë në një vend.

Ashtu si në komisonin e ligjeve edhe në seancë plenare demokratët do të kërkojnë që të plotësohet kërkesa e sjellë nga tre organet e Vettingut, ndërsa  grupi  parlamentar i PD do të propozojnë edhe disa amendamente. Lidhur me reformën zgjedhore Basha thotë se një tryezë e përbashkët  mund të vijë vetëm pasi kryeministri të ketë pranuar shitblerjen e votave të 25 qershorit.

“Unë jam ulur dhe me siguri do të ulem edhe me pasardhësin e Edi Ramës. Nëse zgjedh siç ka zgjedhur deri më sot, të mbyllë sytë para faktit që ka një mazhorancë fiktive dhe nuk ka dalë nga vota e ndershme e shqiptarëve atëherë kursi tjetër është kursi i përballjes.”

Krahas aksionit parlamentar demokratët kanë nisur edhe procesin e ristrukturimit të partisë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Kreu i demokratëve tha se faza e parë e këtij procesi do të nisë me konsultimin e anëtarësisë për të vijuar më pas me ndryshimet statutore dhe zgjedhjet e forumeve të reja drejtuese.

/tvklan.al