Basha

Protesta e së shtunës për kreun e opozitës ishte manifestimi i Shqipërisë së mashtruar e të lënduar nga rritja e taksave dhe thellimi i paligjshmërisë së qeverisë.

Kështu e cilësoi kreu i demokratëve Lulzim Basha gjatë një konference për shtyp manifestimin qytetar të 22 Nëntorit, ku i kërkoi Kryeministrit Rama të mos provokojë shqiptarët me qëndrimet e tij, por të dëgjoi zërin e tyre e t’i thotë ndal rritjes së taksave.

Lulzim Basha – Kryetar i Partisë Demokratike:“Në emër të shumicës së shqiptarëve që lufton për mbijetesë i kërkoj Kryeministrit:·Të ndalë çdo tentativë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të anullojë menjëherë kërkesën që qeveria e tij ka çuar në këtë drejtim.·Të heqë menjëherë TVSH e energjisë elektrike për të papunët, pensionistët, fermerët dhe kryefamiljarët që jetojnë në nivelin e varfërisë; ·Të rishqyrtojë paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015 në konsultim me aktorët e rëndësishëm shoqërore, me sipërmarrjen, konsumatorët dhe shtresat në nevojë. ·Të heqë dorë nga rritja e çdo taksë, akcize apo tarife për vitin e ardhshëm. ·Të ulë në 10 për qind nivelin e taksimit maksimal. ·Të ndalë goditjen e paligjshme dhe selektive të pronave të shqiptarëve. Të mbajë premtimin për legalizim falas; ·Të anullojë rritjen e tarifave të universiteteve dhe të mundësojë rikthimin në auditore pa kosto të të gjithë studentëve që u goditën nga pseudoreforma e arsimit të lartë;·Të ulë shpenzimet e shfrenuara qeveritare dhe t’i kalojë këto fonde tërësisht në mbështetje sociale dhe investime publike;·Të kthejë në detyrë Policinë e Shtetit. Vrasjet, vjedhjet, krimi dhe aksidentet po shtohen çdo ditë.”

Teksa falenderoi qytetarët që morën pjesë në marshimin e së shtunës, Basha tha se protesta konfirmoi hendekun e thellë midis një Shqipërie që digjet nga hallet e shumta dhe një qeverie që sipas tij ka shkelur kontratën me shqiptarët në 23 Qershor.

Lulzim Basha – Kryetar i Partisë Demokratike:“Mos e trash më zullumin, je kthyer në barrën më të padurueshme për qytetarët e këtij vendi. Reflekto ose largohu. Shqipëria digjet, qeveria krihet.

Basha tha se nëse Kryeministri është i vendosur në rrugën e tij pa krye të shpërfilljes, arrogancës, papërgjegjshmërisë dështimeve dhe zullumit, protestat popullore nuk do  të ndalen.

Tv Klan