Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se paratë që do të shkonin për rritje të pagave e pensioneve dhe subvencione për fermerët kanë përfunduar në xhepat e kryeministrit Edi Rama dhe klientëve të tij.

Gjatë një takimi që zhvilloi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Shijak, Basha tha se në tre vjet qeverisje kryeministri Rama rrënoi ekonominë dhe varfëroi shqiptarët.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

220 milionë euro që kanë shkuar për shpenzime luksi, ose tendera për shokët, po ti pjesëtojmë me numrin total të fermerëve i bie mesatarisht 500 dollarë për fermer subvencione. 120 milionë të tjera ia ka dhënë miqve të vetë për punë publike, fasada, për buzëkuq që s’i hyjnë në punë as dreqit. Shihni faturat e energjisë, ça bënë me ato lekë?! Mos ka bërë linja të reja këtu, mos ka zëvendësuar transformator?! Ja ta them unë se çfarë bën: 5.4 milionë euro ia ka dhënë Pandi Carapulit.

Rikthimi i parave publike në portofolin e qytetarëve është zgjidhja, që sipas Bashës do të ofrojë Partia Demokratike pas ardhjes në pushtet.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së: 

220 milionë euro ose shpenzime luksi, ose tendera për shokët. Po të vendoste t’i ndante ndryshe ka para edhe për t’u dhënë fermerëve subvencion, mesatarisht 500 mijë lekë të vjetra në vit, për të rrit pensionet, për të rritur ndihmën sociale apo për të investuar në infrastrukturë bujqësore, apo në uljen e çmimit të energjisë, apo në uljen e çmimit të naftës. Gjithë këto janë zgjidhjet, kjo është politika, politika s’janë fjalët.

Basha e cilësoi të dështuar politikën e taksave të larta të qeverisë, pasi sipas tij të ardhurat publike nuk I ktheu në interes të qytetarëve./ TV KLAN