Lulzim Basha e cilëson kërcënim për opozitën deklaratën e kryeministrit Rama se po synohet të rikthehet viti ‘97 me strategjinë e demokratëve dhe aleatëve të tyre për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Dhe për kërcënuesin, kryedemokrati ka një mesazh.

“Kujt i kujton ’97 ti? Kë kërcënon more surratsëz? Në fakt nga turqishtja e vjetër, surratsëz do të thotë i pafytyrë, ose italisht i thonë ‘sfaciato’. Shqipëria nuk do të rrëshqasë me destabilizim për surratin tënd dhe kriminelëve që ke në krahë. Jo, vendimi është marrë. Ti do të shporresh dhe ne do të kemi qeveri teknike, rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të patur”.

Basha komenton dhe zhvillimet brenda kampit qeveritar që sipas tij është në krizë.

“Tani ka rënë dhe dambllaja se i ka punët përshesh, edhe dyshja i ka punët përshesh, edhe brenda shtëpisë i ka punët përshesh. Po s’e kemi ne fajin. Kur fut krimin në shtëpi kjo ndodh. Kush fle me qenin, zgjohesh me pleshta, pak e ka”.

Takimin e paradites, Basha zgjodhi të bashkëbisedojë me artistët, ndërsa më herët preu shiritin e rrugës se re në Bashkinë e Kamzës që kryebashkiaku Xhelal Mziu e ka pagëzuar me emrin “Donald Trump”, duke i shtuar kështu larmisë së madhe të emrave të kryeqyteteve dhe personaliteteve ndërkombetare që emërtojnë rrugët dhe lagjet e Kamzës dhe atë të presidentit më të ri amerikan.

“Kam një shpresë dhe më shumë se shpresë, një bindje që nuk do të jetë e largët dita, kur Presidentin Trump ta kemi këtu midis nesh”.

/ TV KLAN

Basha-Ramës: Bëj gati valixhet dhe shporru nga zyra!

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike ka bërë një bashkëbisedim në “çadrën e lirisë”, përpara Kryeministrisë ku i ftuar ishte edhe senatori italian Aldo Di Biagio.

Ai ka thënë se Rama e shndërroi Shqipërinë në një njollë turpi dhe se nuk do të dorëzohet derisa ai të japë dorëheqjen dhe të krijojë qeverinë teknike për të zvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndërkohë që kreu i PD, ka thënë se kjo lëvizje është tërësisht paqësore dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me ’97-ën.

Basha i është drejtuar kryeministrit me etiketime ndërkohë që i bënte thirrje të hiqte dorë nga kërcënimet pasi këto të fundit “nuk pinin më ujë” me popullin shqiptar./tvklan.al