I palëkundur nga kërkesat e tij, por i hapur për dialog, që sipas tij duhet të jetë i vërtetë e jo fasadë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se opozita nuk po i kërkon Kryeministrit Edi Rama pushtetin në tavolinë, por kërkon që ai të hiqet mënjanë për të përmbushur, ato që kryeopozitari i konsideron

objektivat jetike për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Basha shprehet se nëse Rama gjen kurajon të ndahet nga pushtetit i krimit dhe për hir të shqiptarëve t’i hapë rrugë qeverisë teknike, që do të sigurojnë zgjedhje të lira, atëherë Basha thekson se është i gatshëm të ulet kudo, kurdo pa asnjë pretendim.

Reagimi i plotë:

Kam insistuar që në fillim se dialogu me Edi Ramën duhet të jetë i vërtetë dhe jo dialog fasadë, sa për të bërë foto e për të dalë para kamerave. Dialogu i vërtetë nuk mund të zëvendësohet nga dy monologje shterpë. Dialogu i vetëm i vërtetë është ai që përgatitet me përgjegjësi të lartë për t’i dhënë zgjidhjen e vërtetë krizës së vendit: krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të përgatitur këtë dialog kemi vënë në dispozicion prej 8 ditësh negociatorët tanë.

Nuk po i kërkojmë Edi Ramës pushtetin në tavolinë, ne do të mbetemi në opozitë deri sa populli të na votojë për të qeverisur me votën e tij të lirë. Ne po i kërkojmë Edi Ramës që të hiqet mënjanë, për t’i hapur rrugën një qeverie teknike, të paanshme, e cila duhet të përmbushë tre objektiva jetike për demokracinë dhe të ardhmen e vendit:

1. Zbatimin e dekriminalizimit, për të larguar kriminelët dhe ndikimin e tyre nga politika;

2. Ndalimin dhe luftimin e kultivimit masiv të kanabisit dhe të trafikut të drogës, që janë kthyer në rrezik jetik për demokracinë, rendin dhe të ardhmen e vendit;

3. Garantimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Dialogu i vërtetë kërkon që Edi Rama të vendosë të ndahet nga krimi. Nëse e gjen kurajon të ndahet nga pushteti i krimit dhe, për hir të qytetarëve shqiptarë, t’i hapë rrugë qeverisë teknike të zgjedhjeve të lira e të ndershme, unë jam gati të ulem me të kudo, në çdo orë dhe pa asnjë pretendim.

/tvklan.al