Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh i qartë se, për sa kohë të jetë ai në krye të partisë nuk do të ketë fraksione.

Akuzave të forta që kanë ardhur nga Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe Arben Imami, Basha iu përgjigj duke theksuar se

“sa kohë të jem unë kryetar i PD-së nuk do të ketë fraksione, por do të ketë hapësirë për këdo në Partinë Demokratike, që të kontribuojnë për qëllimin e përbashkët, që është një qëllim kombëtar, jo qëllim politike i PD-së, për të çliruar vendin nga zgjedha e krimit, nga bandat si aleate të denja për të mbajtur pushtetin”.

Basha foli pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, e cila zgjati 4 orë dhe ku u diskutua për nisjen e një procesi analize për zgjedhjet e 25 Qershorit dhe për reformimin e partisë.

Ai tha se një grup pune “

do të punojë paralelisht me procesin e konsultimit me anëtarësinë, i cili po kështu do të bëjë që zëri i çdo anëtari të PD-së të dëgjohet, duke e bërë PD-në më të fortë, më demokratike, dhe më të aftë për t’u përballur me të keqen.

Sipas kryedemokratit, kryesia e PD-së kishte arritur në një vendim unanim që është nisja menjëherë e procesit të analizës dhe të konsultimit.

Basha tha se PD-ja “

nuk ka kundërshtarë brenda vetes së saj, por ka vetëm një kundërshtar, dhe ky kundërshtar nuk është thjeshtë një person, por është ajo çfarë personifikon ky person, aleancën e krimit

”.

/tvklan.al