Ka qenë listë e kryetarit. Largimet ishin të pamotivuara…Nuk kalojnë forumet e partisë…Nuk do më shkonte ndër mend të bëja një listë si kjo. Lulzim Basha kishte këshilltarë mizerabël.

Lulzim Basha i shmangu përgjigjet për këto kritika të hapura që mori një ditë më parë nga lideri historik i Partisë Demokratike.

Interesit të gazetarëve që nisur nga deklaratat e Berishës e pritën në hyrje te Kuvendit, ai i devijoi me akuza ndaj mazhorancës ku veçoi një deklarate të kryeministrit në lidhje me dhurimin e gjakut, që zyra e kreut të qeverisë e sqaroi se ishte thënë me humor. 

Tema kryesore sot është që ky njeri nuk mund të tallet duke thënë ‘pirjen e gjakut’ si metaforë. Nga 1.5 miliardë dollarë të vjedhura… Kur të organizojmë konferencë për shtyp, pastaj në tërësi do ju përgjigjem për të gjitha të tjerat, janë çështje që na takojnë si Parti Demokratike, i diskutojmë brenda Partisë Demokratike, sigurisht edhe me transparencë maksimale para medias dhe qytetarëve.

Sali Berisha ia faturoi përgjegjësinë më të madhe për humbjen historike të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit Lulzim Bashës. E kritikoi për largimin e disa figurave te rëndësishme, për listën e deputeteve, e fajësoi se dekurajoi militantet me marrëveshjen me Ramën dhe se pati këshilltarë mizerabël në fushatë.

Për të gjitha këto, kryetari i partisë demokratike është akuzuar publikisht edhe nga kritikët e tij në parti, menjëherë pas shpalljes se listës së kandidatëve apo kur firmosi marrëveshjen e 18 Majit me kryeministrin Rama, por nuk ka dhënë asnjëherë përgjigje. /Tv Klan