Shqipërisë i duhen udhëheqë normalë që të sillen si europianë dhe të respektojnë qytetarët. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalimit që mbajti përpara mijëra protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shtuar se vendit tonë nuk i duhen udhëheqës që e konsiderojnë veten të mëdhenj.

“Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit. Por asnjë qeveri nuk bëhet vet e mirë. Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përpara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të tjera janë vende ku populli e ka frikë qeverinë. Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normalë, që sillen si europianë, dhe nëse nuk sillen si të tillë duhet t’i ndërrojë sa më parë.

Jam këtu për të marrë kurajo, për të qenë bashkë me ju. Çfarë na pret përpara nuk është më sfida e një njeriu, është udhëtimi i të gjithë shqiptarëve duke ndjekur dritën që lëshon vendi ynë në Perëndim. Kjo është vala që po ngrihet dhe do të ngrihet”,

tha Lulzim Basha.

Rilindjen, kryetari i PD-së e ka quajtur “projekt kriminal” që në nisje të saj 5 vite më parë. Rilindja, tha Basha, shkatërroi vendin duke promovuar kriminelët në pushtet.

“Kohë më parë popullit ju premtuan vende pune. Të vetmet që u hapën janë ato në fushat e drogës. Kohë më parë këtij populli ju premtua drejtësi, por e vetmja drejtësi që kjo qeveri solli është mbrojtja për kriminelët. Ndaj sot shqiptarët largohen nga vendi i tyre. 

Rilindja është projekti i një njeriu urrejtës i lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Etja për pushtet e futi Rilindjen në hendekun e shkatërrimit të kombit, në rrugën e krimit dhe të drogës. Rilindja u ngrit mbi aleancën e krimit për para, mbi zëvendësimin e shtetit të së drejtës me sundimin personal arrogant, mbi përqëndrimin e të gjitha pasurive të vendit, mbi propagandën dhe dezinformimin e shfrenuar për të fshehur të vërtetën. Rilindja ishte që në ngjizje një projekt kriminal”

, u shpreh kryedemokrati.

Basha theksoi se Shqipëria ka vetëm një rrugë, atë drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por, që ky projekt të përmbushet, tha Basha, qytetarët duhet të largojnë nga pushteti Qeverinë Rama.

Sot më shumë se kurrë sytë tanë kërkojnë dritën që vjen nga Perëndimi, edhe pse ajo shkëlqen nga larg. Sot jemi mbledhur me qindra mijëra për etë treguar se jemi europianë”. Sot nga ky shesh i mbushur si kurrë më parë, ne dëshmojnë se nuk pranojmë autokracinë, se nuk mbyllim sytë përpara drogës. Ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Në këto 30 vite udhëtimi ynë politik ka qenë plot ulje-ngritje. Sot ne nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverisë, por ndarjen e politikës nga krimi, nga korrupsioni, nga e keqja”,

deklaroi kryetari i PD Lulzim Basha.

Opozita e bashkuar protestoi sot pas publikimit të audio-përgjimit mes “Dëshmitarit X (Albert Veliu) dhe personit tjetër që pretendohet se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

 

Partia Demokratike akuzon ministrin Xhafaj se po mbron vëllain e tij të dënuar në Itali dhe e lejon të vijojë aktivitetin e trafikut të drogës në Vlorë.

/tvklan.al