Si dëshmi të aleancës së kryeministrit me krimin, Lulzim Basha përpara demokratëve të Elbasanit solli kryebashkiakun e këtij qyteti Qazim Sejdini, të cilin opozita e akuzon se është kthyer në mbrojtje politike për grupet kriminale. Ngjarja e 18 Shtatorit ku një person goditi makinën e nëndrejtorit të policisë, Gjergj Oshafi dhe u largua qetësisht nën sytë e 12 policëve, sipas kreut të demokratëve është rast i fundosjes së shtetit ligjor në favor të bandave.

 “Ato pamje shokuese tregojnë në fakt se ku është shteti i Edi Ramës. Shteti i Edi Ramës nuk janë policët brenda këtyre makinave apo jashtë atyre makinave. Shteti i Edi Ramës janë banditët, është Suel Çela, është Sanxhaktari dhe banditët e tjerë që kanë marrë peng qytetin e Elbasanit përmes kryepadrinos, Qazim Sejdinit.”

Ndaj në 27 janar sipas tij shqiptarët duhet të bashkohen në protestën e thirrur nga opozita për t’idhënë fund keqqeverisjes dhe lidhjeve që kjo shumicë ka me krimin.

 “Ora e aleancës tënde me krimin ka marrë fund! Ora e pushtetit tënd të paligjshëm ka marrë fund!  Mësoje nga Elbasani, me 27 Janar do ta mësosh nga Tirana.”.

Sipas Bashës vetëm përmes largimit të kryeministrit dhe krijimit të një qeverie antimafia vendi mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe një drejtësi të pakapur.

 Tv Klan