Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi për herë të tretë brenda ditës aleatët, para vendimit përfundimtar lidhur me paketën McAllister, që parashikon zgjidhjen e krizës politike në vend nëpërmjet shtyrjes së zgjedhjeve me disa javë, aprovimit nga PD-ja të një zv/kryeministri dhe katër ministrave.

Aleatët opozitarë u mblodhën në Selinë e PD-së në orën 21:00, pak para skadimit të afatit 24 orësh të zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Brain Yee. Takimi zgjati rreth 15 minuta.

Orët e fundit të ditës së sotme pritet të jenë vendimtare për zgjidhjen e krizës politike në vend. Dialogu për gjetjen e një zgjidhjeje pozitë-opozitë u rihap pas kërkesës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, i cili takoi dje kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta dhe kryedemokratin Basha.

Bazë e marrëveshjes së që pritet të arrihet do të jenë propozimet e ofruara disa javë më parë nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të parlamentit europian David McAllister. 

Nëse arrihet marrëveshja mbi këto propozime, Basha do të heqë dorë nga kërkesa për qeveri teknike, ndërsa kryeministri Rama do të heqë dorë nga refuzimi për të shtyrë zgjedhjet dhe do të pranojë disa ndryshime në qeveri si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. /tvklan.al