Pavarësisht thirrjeve të Ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, për t’u rikthyer në parlament, kreu i opozitës Lulzim Basha shprehet i palëkundër për të qëndruar në “Çadrën e Lirisë”, derisa të plotësohen kushtet e tij për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Në një bashkëbisedim që zhvilloi me artistët, Basha tha se të gjithë i japin të drejtë kauzës së opozitës përveç trafikantëve. Ai e konsideroi qëndresën e opozitës fisnike e europiane, një qëndresë që siç tha ai, po ia zbardh faqen Shqipërisë.

Teksa nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të qeverisë, kryeopozitari tha se Kryeministrit Rama i ka mbetur vetëm 6 javë mandat, por pavarësisht kësaj, ai refuzon ta lerë atë ndonëse në këtë mënyrë sipas tij, do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme. Për Bashën, Rama nuk e bën dot këtë sepse ka frikë nga gjykimi i popullit. Sipas tij, Rama del në garë vetëm kur është i lidhur me krimin./tvklan.al