Lulzim Basha ka folur sërish këtë të enjte, në ditën e 13 të protestës së opozitës. Sikurse edhe ditët e shkuara, Basha ka folur me tone të ashpra për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Kryeopozitari ka kërkuar që Rama të tërhiqet nga provokimet, duke iu referuar dhe incidentit të ditës së sotme, kur një grua ndërpreu fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjithashtu, i pranishëm ishte dhe Jason Emert, kryetari i Bashkimit të Forumeve Rinore të partive të Djathta si dhe Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor Republikan në SHBA, i cili tha se qytetarët shqiptarë nuk duhet të qeverisen nga bandat.  

“Kjo nuk është më një protestë e partive politike, por një lëvizje e madhe popullore kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për demokraci dhe drejtësi të vërtetë. Arsyeja është ajo që e kemi quajtur, parlamenti, drejtësia fasadë dhe sot kemi rastin t’i shohim jo prej mishi, por prej kartoni, çfarë fshihet prapa kësaj fasade.

Kjo është arsyeja pse ekonomia nuk prodhon më, pasi na kanë pushtuar kriminelët dhe shteti në shërbim të qytetarit ka pushtuar së funksionuari, shteti është në funksion të kriminelëve. Politikanët e korruptuar dhe kriminelët po bëhen gati të vjedhin zgjedhjet e lira. Kjo është arsyeja pse të djathtë dhe të majtë, toskë dhe gegë janë bërë bashkë në këtë betejë, që do të fitohet me çdo kusht. I kërkoj Edi Ramës të distancohet nga provokimi që u bë këtë paradite me urdhër të tij dhe e solli për të hedhur farën e përçarjes.

Gruaja e cila doli paradite, fotot e saj, të cilat u shfaqën pas disa orësh nuk dua t’i komentoj.

Toskë e gegë, bashkë deri në fitore. Edi Rama distancohu nga thirrja provokatore në këtë çadër. Shqiptarët nuk ta falin, streha e fundit e maskarallëkut është patriotizmi i rremë. Fitorja e Republikës së re po afron. Zgjedhjet vërtet të lira dhe të ndershme, drejtësia e vërtetë që nuk ndëshkon krimin dhe korrupsionin.

A mund të ketë reformë në drejtësi për sa kohë kjo qeveri është në pushtet? Vettingu dhe drejtësia e pa kapur do të çlirohen vetëm me largimin e Edi Ramës. Qytetarët do të zgjedhin vetë ata që do t’i qeverisin, ky është themeli i shtetit ligjor dhe republikës së re. Kjo betejë përcaktohet nga vendosmëria jonë. Asnjë faktor kombëtar nuk mundet, veçse të bashkohet me këtë kauzë të madhe dhe të bashkohet me ne. Antenat dhe kanalet e stacioneve qeveritare janë pjesë e vjedhjeve masive që u bëhen shqiptarëve. Mbështetja për zgjedhje të lira nuk ka qenë më e madhe se sot. Nga ky shesh dëgjuat përfaqësuesit evropianë”

.

Jason Emert, kryetari i Bashkimit të Forumeve Rinore të partive të Djathta si dhe Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor Republikan në SHBA.

“Ju e dini që ka pasur disa ndryshime në Washington. Partia Republikane është shumë e gëzuar për ta thënë këtë gjë, ne kemi premtuar që do e bëjmë Amerikën e madhe. Mund t’ju them se ju nuk i meritoni këto. Asnjë vend nuk meriton të drejtohet nga banda të organizuara dhe banda horrash. Në SHBA, në çdo vend të lirë. Unë nuk ka ardhur këtu vetëm për të mbështetur këtë lëvizje, por edhe për të thënë që Lulzim Basha do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Qëndroni në këtë mënyrë që t’i bini me shkelm këtyre, pasi vetëm kështu do të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju keni miq anë e mbanë botës, por edhe një mik shumë të mirë si SHBA”./

tvklan.al