Opozita do të kushtëzojë qëndrimin e saj politik në Kuvend dhe jashtë tij me votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit.

Pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e partive opozitare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se Reforma Zgjedhore është kusht i panegociueshëm, pasi zgjedhjet janë në rrezik për shkak të krimit e shitblerjes së votës.

Shqetësimin se elementë të inkriminuar po tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e 18 Qershorit e shprehu një ditë më parë, edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një pritje me gazetarët.

Pas takimit me aleatarët, kreu i opozitës Basha u shpreh i hapur për propozimin e LSI-së për lista të hapura.

Takimi i Bashës me aleatët vjen një ditë pas mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku palët ranë dakord që ditët në vijim, pas diskutimit në nivel politik, të gjitha çështjet të adresohen në formën e amendamenteve në tryezën e punës së Komisionit.

Tv Klan