Ministri i Brendshëm nuk ishte në seancë plenare, kur Lulzim Basha tha se po i bën terror përmes policisë Dëshmitarit X, si dëshmi e origjinalitetit të audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike.

“Prej 72 orësh Dëshmitari X dhe familja e tij janë nën presionin e tmerrshëm të bandave Xhafaj dhe terrorin policor. E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe pas vetë dëshmitarit. Nëse thonë se audiopërgjimi nuk është i vërtetë pse i janë vënë prapa Dëshmitarit X? Çfarë nguti kanë? Mesa duket ekspertizën e audiopërgjimit kryeministri e ka bërë në Surrel. Nga e dinë policia e Xhafës kush është dëshmitari X? Nga e dinë ata kush është ky në audiopërgjimin që qenka i falsifikuar e manipuluar. Ua thanë Xhafajt, vëllai i madh dhe vëllai i vogël, sepse ata e dinë fare mirë kush është Dëshmitari X, sepse gjithçka që është thënë në atë bisedë është e vërtetë, por shteti nuk vepron.”

Jo pak i ashpër ishte në akuzat e tij edhe në adresë të kryeprokurores Arta Marku, të cilën nuk hezitoi ta etiketojë sërish si kamikaze të kryeministrit Rama.

“Prokuroria e ka për detyrë të hapë hetimin. Kamikazet Marku e Prela nuk veprojnë. Agron Xhafaj përmes Fatmir Xhafaj ka emëruar drejtorët e policisë, nga Ard Veliu në shefat e Vlorës. Fatmir Xhafaj ka vendosur në krye të prokurorisë së Krimeve të rënda, dhe jo rastësisht u bë ditën kur u bë denoncimi i Xhafajt. Deri dje ishte Fatmir Xhafaj që mbronte Agron Xhafaj dhe që dje vëllai i tij mafioz mbron Fatmir Xhafajn. Agron Xhafaj nuk duhej të lejohej të largohej.”

Fjalimi i gjatë dhe jashtë rendit të ditës i kushtoi mbylljen e mikrofonit nga kryeparlamentari Ruçi, që e cilësoi një skenar të paramenduar bllokimin e seancës nga ana e opozitës.

“Nëse ju doni të vijoni me mesazhin tuaj për t’i thënë Sofjes se këtu s’ka normalitet, s’ështe lajm i mire, por do keni përgjegjësitë tuaja.”

Dy herë u ndërpre seanca, por Luzlim Basha komunikimin e vijoi edhe këtë të Enjte nga Facebook-u i tij.

Të tjera fakte paralajmëroi, ndërsa Edi Ramën e provokoi me shprehjen e tij, që nuk ia kursen demokratëve çdo të enjte nga salla e parlamentit.

Faktet për të nuk do të vonojnë, por sot është dita të dëgjoni përsëri, me zë dhe me figurë, faktet e pakundërshtueshme se jo vetëm që audiopërgjimi është autentik, e nuk mund ta ekspertojë këtë vila e Surrelit, por edhe pse dëshmitë, faktet për rolin e Agron Xhafajt si koka e krimit të organizuar janë të plota dhe të thella

Ajo që keni parë dje dhe pardje është vetëm maja e ajsbergut, edhe ajo që do të shikoni sot është akoma mbi ujë. Nuk doja kurrë ta thoja edhe unë këtë, por fjalët në gjuhën shqipe kaq janë: Edi Rama, Fatmir Xhafaj nuk keni parë asgjë akoma.

Ndërsa ish-Kryeinistri Berisha teksa e cilësoi akt terrorist presionin ndaj Dëshmitarit X ftoi shqiptarët të ngrihen për të rrëzuar qeverinë.

“Harron ky faqezi se zinxhiri i dëshmitarëve është i pafund dhe provat janë autentike. Nuk mbetet gjë tjetër veçse shqiptarët që ky i mashtroi në mënyrë më të paskrupullt, më i shpërfytyruar ta krehin nga zyra dhe ta hedhin në Lanë si një kalbësirë që po qelb Shqipërinë dhe Ballkanin.”

Ministri i Brendshëm erdhi në seancë pas largimit të opozitës, por nuk iu përgjigj akuzave të saj. Sqarimet për to, ai i dha një ditë më parë, në një konference për shtyp, teksa i quajti sajesa me qëllim shantazhimin e tij.

Tv Klan