Vetëm pak orë përpara mbërritjes në Tiranë të dy negociatorëve europianë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, Lulzim Basha foli për një shans në favor të zgjidhjes së krizës politike.

“Sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Basha në këtë dialog nuk përfaqëson veten e tij as PD, por shkoj me vetëdijen e plotë se përfaqësoj interesat e bashkimit më të madh popullor. E kam shumë të thjeshtë të gjej gjuhën e kompromisit politik për gjithçka më takon mua dhe PD,  por nuk bëj asnjë dorëheqje për gjithçka u takon fateve të zgjedhjeve të lira.”

Kryeministrit i dërgoi mesazhin se është i gatshëm për arritjen e një kompromisi përmes dialogut, me kushtin e panegociueshëm se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kauza e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Zgjidhja që ofrojmë është zgjidhje e ndershme, nuk po i kërkojmë pushtet në tavolinë, nuk po i kërkojmë të shporret, edhe pse i takon, por i kërkojmë t’i japë mundësi shqiptarëve të votojnë.”

Basha foli me tone optimiste përpara mbështetësve.

“Fundi nuk do të jetë votim pa opozitën, fundi nuk do të jetë shpërndarja e popullit, fundi do të jetë fitorja e kauzës tonë të drejtë. Të shpresojmë se rruga e dialogut të na çojë drejt një bashkimi kombëtar.  Me këtë bashkim popullor fitorja që po vjen do i hapë rrugën një republike të re.”

Nga ana tjetër, Basha akuzoi qeverinë se mbështet trafikun e drogës dhe i kërkoi policisë të bëjë publike procesverbalet e asgjësimit të kanabisit, duke thënë se ajo nuk është shkatërruar, por është magazinuar nëpër tunele e magazina të ushtrisë, me qëllim që të trafikohet.

Tv Klan

—–

Basha – Xhafajt: Trego procesverbalet e asgjësimit të 10 mijë tonëve drogë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkoi sot Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj që të tregojë procesverbalet e asgjësimit të 2.5 milionë bimëve narkotike dhe 10 mijë tonëve drogë.

“Lëre prokurorinë, lëri mediat , lëri qytetarët dhe opozitën dhe na trego procesverbalet e 2.5 milionë rrënjëve të kanabisit. Ku i ke? Ku i ke procesverbalet e shkatërrimit të 10 mijë tonë Drogë? Na i trego. Na i trego. Tregojua shqiptarvë edhe të huajve. Por, nuk i tregon dot se droga nuk u shkatërrua kurrë por u magazinua nga policia, nga kupola e korruptuar e policisë në bashkëpunim me Edi Ramën dhe kriminelët e tij në tunelet dhe magazinat e shtetit për tu transportuar në brigjet italiane.  Nuk ka si ta dorëzojë drogën Edi Rama sepse ka dalë garant për drogën me kokën e vet, sepse është vetë pjesë e pandashme e drogës dhe e parave të drogës. Dhe kjo është arsyeja.

Ka 48 orë që ju kemi thënë se në grykëderdhjen e Ishmit ka ngecur në lluc motoskafi i Habilajve me tre motorë. U bëmë thirrje dhe mediave por këta skano faj se është punë me kokë ajo. Ku e keni policinë të cilën e vure pas protestuesve paqësorë? Pse nuk e çon pas Habilajve? Sepse ata janë as më pak as më shumë se Saimir Tahir, Edi Rama, Fatmir Xhafaj…”, tha Basha duke folur në “Sheshin e Lirisë” lidhur me problematikat në qarkun e Fierit. 

Kështu Basha, u përfshi në debatin e nisur ditët e fundit mes Ministrit Xhafaj dhe Kryeprokurorit Llalla, i cili kishte deklaruar se prokurorët nuk po thirren në asgjësimin e drogës.

Fatmir Xhafaj, një njeri i stërvitur mirë më praktikat e sigurimit të shtetit, njësoj si kur torturonte të rinjtë dhe të rejat e Krujës, duke i akuzuar se kishin pirë një gotë raki kur vdiq xhelati i Shqipërisë Enver hoxha, me të njëjtin zell dhe taktikë, paciptësi, pafytyrësi, i shkruan letër kryeprokurorit dhe i thotë më thuaj se cilat janë rastet që ju nuk jeni thirrur në asgjësimin e drogës. Me ndihmën e mediave të kapura e çon vëmendjen gjoja sikur qenka faji i prokurorëve.

Vëllai i numrit dy të një bande ndërkombëtare të trafikut të drogës nga Venezuela në Itali, vëllai i Agron Xhafajt, Fatmir Xhafajt i shkon për shtat të mbulojë ose të përpiqet të mbulojë gjurmët e ujkut

.”

Rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përveçse me një qeveri teknike, e cila paraprakisht do të largojë krimin nga institucionet do të luftojë drogën dhe paratë e drogës, do të kryejë reformën zgjedhore dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme nëpërmjet votimit elektronik.

Ka dy mënyra për të arritur aty, mënyra e parë është me dialog dhe sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Lulzim Basha në këtë dialog nuk përfaqëson vetëm veten e tij, as vetëm Partinë Demokratike as vetëm opozitën, por interesat e një bashkimi qytetar të jashtëzakonshëm shqiptar, bashkimit më të madh popullor. Ndaj, e kam shumë të thjeshtë të gjej gjuhën e kompromisit për gjithçka që më takon mua dhe partisë demokratike por nuk bëj dhe nuk do të bëj tërheqje për gjithçka që i takon fateve të qytetarëve dhe të demokracisë shqiptare, fatit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Nuk po kërkojmë pushtet në tavolinë, nuk po i kërkojmë të shporret megjithëse e meriton të shporret, por po i kërkojmë të lejojë popullin të vendosë me votë të lirë dhe të ndershme. Uroj që të gjitha palët ta përdorin këtë shans për t’i dhënë fund me dialog krizës. Jemi të bashkuar dhe të vendosur për ta çuar këtë betejë deri në fund, i cili nuk do të jetë zgjedhje pa opozitën.”

/tvklan.al