Nga Vora ku u takua me drejtues të strukturave të Partisë Demokrate, Lulzim Basha tha se pa dekriminalizimin e pushtetit nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha i është drejtuar me një mesazh shqiptarëve, që të bashkohen pranë radhëve të Partisë Demokratike, për të luftuar kundër aleancës së krimit e drogës dhe për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

Lulzim Basha:

Që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që shqiptarët të mos kenë frikë nga krimi për të hedhur votën ashtu siç duan është e domosdoshme që të thyhet cikli i drogës dhe krimit.Është e qartë se po t’i largohen një nga një figurat kriminale me të cilat menaxhon dhe mban pushtetin, ky është fundi i Edi Ramës. Prandaj nuk e zbaton ligjin e dekriminalizimit. Rruga e vetme për të ndalur këtë qerthull shkatërrues për Shqipërinë dhe shqiptarët është t’i themi Edi Ramës që me ty nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha tha se në tre vjet qeverisje, kryeministri Rama varfëroi shqiptarët. Ai e akuzoi kreun e qeverisë se përmes lidhjeve me krimin e narko-trafikun po tenton të blejë edhe votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./ TV KLAN