Teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për ngjarjen e Elbasanit, ku mbrëmjen e 18 shtatorit një makinë e blinduar goditi automjetin e nëndrejtorit të policisë Gjergj Oshafi, Lulzim Basha ka ngritur akuza të forta në adresë të policisë.  Kreu i demokratëve tha se me ndihmën e strukturave shtetërore të dyshuarit kryesorë në këtë ngjarje janë larguar në një nga vendet e Bashkimit Europian.

 

“Të dyshuarit kryesorë që ka qenë në makinën e blinduar që përplasi policinë në Elbasan, me ndihmën e policisë së korruptuar të Edi Ramës, janë larguar dhe sot gjenden në një vend anëtar të Bashkimit Europian.”

Duke folur për të dhënat e publikuara nga Barometri i Ballkanit për dyfishim të numrit të shqiptarëve që duan të largohen nga Shqipëria, Basha tha se i vetmi përgjegjës për krizën e rëndë ekonomike që po kalon vendi është kryeministri Rama.  Në kundërpërgjigje të vendosjes së TVSH-së për biznesin e vogël Basha paralajmëroi hapin e radhës së opozitës.

“Ne do të paraqesim propozimet tona për të frenuar këtë çmenduri që do të çojë në rritjen e çmimeve të konsumit dhe rënien e të ardhurave buxhetore.”

Sipas kreut të demokratëve shpëtimi i shqiptarëve nga krimi, bandat dhe gjendja e rrënuar ekonomike do të vijë vetëm përmes votës së lirë, ndaj ai i bëri thirrje të bashkohen në këtë betejë me demokratët. /Tv Klan