Lulzim Basha zhduk nga listat e Partisë Demokratike për deputete themeluesit e kësaj force politike dhe figurat më të njohura të saj.  Jashtë listës së dorëzuar në mesnate në KQZ kanë mbetur ata që themeluan këtë forcë politike si Arben Imami, Eduart Selami  apo Genc Rruli, i cili me shumë gjasë u tërhoq, pasi mund të ketë qenë në dijeni të mos përfshirjeje në lista nga Lulzim Basha.

Lulzim Basha ka larguar gjithashtu edhe përfaqësuesit e brezit të dytë në PD, të cilët konsoliduan opozitën në vitet 1997-2005.

Jashtë saj Basha la një ndër figurat më të spikatura, ish-nënkryetaren e PD-së Jozefina Topalli, që  ka mbajtur për dy mandate radhazi postin e Kryetares së Kuvendit. Një zë jo pak kritik ndaj aksioneve politike të Lulizm Bashës që prej ngjitjes së tij në krye të Partisë Demokratike.

Katarsisi i Lulzim Bashës nuk kurseu as Astrit Patozin, i cili gjatë kryesimit të PD nga Sali Berisha ka mbajtur postin e nënkryetarit dhe Kreut të Grupit Parlamentar në vitet  2009-2013.

Lulzim Basha gjithashtu ka larguar Sekretarin e Përgjithshëm për afro një dekadë në PD dhe ministrin kryesor në kabinetin Berisha, i cili ka mbajtur portofolin e rëndësishëm të ministrisë të Financave, Ridvan Boden.

Por Basha ka larguar edhe disa nga figurat më të spikatura politike të brezit të tretë në PD-në e pas vitit 2005, kur kjo forcë politike u rikthye ne pushtet. Mes tyre spikat Majlinda  Bregu, ish-ministre e Integrimit prej 8 vitesh në qeverinë Berisha dhe Myqerem Tafaji, zv/kryeministër dhe Ministër i Arsimit.

Me një të rënë të lapsit Lulzim Basha heq nga parlamenti thuajse të gjithë kabinetit qeveritar të ish- kryeministrit Berisha,  pjesë e të cilit ka qenë edhe vetë për 6 vite me radhë.

Ajo që bie në sy është vendosja në krye të listave në disa prej qarqeve kryesore e ish- anëtarë të Partisë Demokratike të re të Genc Pollos, i cili renditet i dyti në qarkun e Fierit, Valentina Duka e para në Korçë dhe Tritan Shehu kryeson listën e Gjirokastrës.

Të gjithë figurat më të njohura  në historinë e Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka zëvendësuar me emra të niveleve të dytë dhe të treta të kësaj partie. Megjithatë kreu i opozitës u ndje krenar për listën e kandidatëve të rinj që do të ulen në parlamentin e pas 25 qershorit, pasi sipas tij ata janë mbështetës së republikës së re.

Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha nuk ka reaguar ende për largimin nga PD të shumicës dërrmuese të bashkëpunëtorëve të tij dhe figurave historike të kësaj partie dhe as për prezencën e tij i shtati në listën e Tiranës pas disa emrave periferikë.

TV KLAN