Dodaj-KardinaliPapa Françesku:

“Dua sot të njoftoj, se duke pranuar ftesën e ipeshkëve dhe autoriteteve civile shqiptare, do të vizitojë Tiranën, të dielën më 21 shtator”.

Daniela Kostandini – Gazetare, Tv Klan:

“Për një ditë, në 21 shtator, Papa Françeskun, shqiptarët dhe mbarë bota nuk do e shohin nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, por nga një tjetër shesh, ai Nënë Tereza në Tiranë. Papa Françesku është Papa i dytë që shkel tokën shqiptare pas Papa Gjon Palit të dytë. Motivi kryesor mbi të cilin Papa Françesku vendosi të vizitojë vendin tonë “Toleranca e besimi”, u kthye edhe në temë kryesore të Konferencës së organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë”.

“Bashkëjetesa fetare shqiptare ndërmjet historisë, poezise dhe besimit” mori emrin Konferenca e organizuar nga znj. Majlinda Dodaj – e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipqrisë pranë selisë së shenjtë dhe urdhërit sovran të Maltës.

Një aktivitet që u nderua edhe nga sekretari i shtetit të Vatikanit, hirësia e tij, Kardinali Pietro Parolin.

Majlinda Dodaj – E ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vatikan:

“Unë mendova organizimin e këtij takimi për të dhënë një sintezë të shkurtër të Shqipërisë, sepse edhe kolegët diplomatë, por edhe njerëz të tjerë pyesnin Përse Papa e zgjodhi Shqipërinë? Shqipëria, emri i të cilit është dëgjuar si për të mirë, ashtu edhe për të keq. Ka qenë vetë Papa që i shpjegoi arsyet kryesore. Papa kërkon, mbi të gjitha, që të tregojë solidaritet dhe inkurajim për popullin shqiptar. Por mbi të gjitha Papa Françescu dëshiron që përmes lutjes të kujtojë viktimat e regjimit komunist. Goditja e forte ndaj komunitetit katolik kishte për qëllim traditën e gjatë dhe tolerante të vendit për t’i hapur rrugë ideologjisë së re dhe agresive komuniste. U vranë 5 peshkopë, 60 priftërinj, duke përfshirë edhe 8 murgesha. 1800 janë vetëm kishat e krishtera të dëmtuara apo të përdhosura”.

Sekretari i shtetit të Vatikanit, duke nënvizuar harmoninë mes feve në vendin tonë u shpreh se Papa Françesku do e vizitojë Shqipërinë për t’i treguar popujve të tjerë që mund të bashkëpunohet.

Kardinali Pietro Parolin – Sekretari i Shtetit të Vatikanit:

“E nderuara zonja Dodaj!

Me rastin e mbajtjes së Konferencës Bashkëjetesa fetare shqiptare ndërmjet historisë, poezisë dhe besimit”, juve dhe të pranishmit ju përshëndes përzemërsisht. Tema e këtij takimi, i organizuar në prag të udhëtimit të Atit të Shenjtë Françesku në Shqipëri, prek një argument të aktualitetit, i dashur për Shenjtërinë e Tij dhe veçanërisht i rëndësishëm për konjukturën historike, dialogun ndërfetar dhe bashkëjetesën paqësore mes personave të besimeve të ndryshme.

Vetë Papa Françesku ka kujtuar kohët e fundit se më 21 Shtator do të vizitojë Shqipërinë, për t’i thënë të gjithë popujve se mund të punohet së bashku, duke dashur kështu të nënvizojë vlerësimin e Tij për bashkëjetesën paqësore mes besimeve të ndryshme në vend. 

Në fakt Shqipëria, e cila më pak se dy vjet më parë celebroi 100 vjet pavarësi, njeh si trashëgimi të çmuar dhe shembullore, trashëgiminë shpirtërore të ruajtur nga grupe të ndryshme fetare të krijuar gjatë rrjedhës së shekujve.

Në mozaikun ndërfetar, që përfaqëson fytyrën shpirtërore të kombit, komuniteti katolik ka një përfaqësim diskret, ku nuk i kalon 15 % të popullësisë, por në të njëjtën kohë është i vendosur të ofrojë një dëshmi të dashurisë, që i ka shtrirjet tek vokacioni i krishterë.

Në optikën e ungjillin, dashuria e arrin kulmin e saj tek jeta që ofrohet. Askush nuk ka një dashuri me të madhe se kjo, të japësh jetën për miqtë. Kush beson tek Krishti dhe vendos ta ndjekë atë e kalon logjikën e ndarjeve dhe armiqësive, i shikon të ngjashmit nën një dritë të re dhe i konsideron si miq, duke u vënë në shërbim të tyre, deri në pikën që është gati të japë jetën. Gjatë regjjimit komunist, nën torturat e persekutorëve të tyre, katolikët shqiptarë nuk kanë rreshtur së dëshmuari së ofruari dashuri dhe miqësi, duke u lutur si Jezusi mbi kryq “At, fali ata sepse nuk dinë se çfarë bëjnë!” Ata e dinin që pajtimi ka në themel faljen, sesa tek marrëveshjet e drejtësisë njerëzore, gjithashtu të nevojshme për paqen shoqërore, por gjithmonë të minuara nga ideologjitë politike, që ndonjëherë fshihen edhe pas paraqitjeve fetare. Në këtë mënyrë, kisha në Shqipëri ka kontribuar në mënyrë bujare në bashkimin e kombit, edhe përmes martirizimit dhe vuajtjeve.

Në të të njëjtën kohë, ajo ka gjetur hapësira të plota dhe gatishmërinë në dialog dhe bashkëpunim për të mirën e shoqërisë dhe të vendit, nga ana e tre komunitete të tjerë tradicionale të besimit: ortodoksët, myslimanët dhe bektashinjtë. Do të ishte e vështirë të kuptohet lindja e shtetit modern shqiptar pa vullnetin e besimtarëve të besimeve të ndryshme për të jetuar në paqe dhe për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët, me të drejta të barabarta shoqërore, politike dhe fetare.

Etërit themelues të Shqipërisë moderne, besonin në mundësinë e ndërtimit të një shoqërie multifetare dhe historia i dha atyre të drejtë. Ndërkohë në vende të ndryshme të botës e përdornin fenë, si preteks për dhunën dhe abuzimin.  

Bashkëjetesa fetare në Shqipëri nuk është bazuar mbi ekuilibrin e brishtë të raportit mes besimeve, por mbi themelin solid të lirisë së koshiencës, si kusht i pazevendësueshëm për zgjidhjen e besimit fetare nga ana e çdo qytetari.

Periudha e gjatë e persekutimit kundër besimit nga ana e rregjimit komunist dhe imponimi i ateizmit shtetëror, jo vetëm nuk arriti të shuajë nga ky vend ndjenjën fetare, por krijoi një terren të përbashkët vuajtjeje në të cilin, gjatë dhjetë vjeçarëve të fundit të lirisë dialogu dhe shkëmbimi u shfaq akoma me i lehtë dhe fitimprurës.

Selia e Shenjtë që e ka përzemër të mirën e kombeve dhe beson fort tek bashkëjetesa e personat që i përkasin besimeve të ndryshme, gjithmonë e ka vlerësuar ketë anë të popullit shqiptar”.

Majlinda Dodaj – E ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vatikan:

“Me kontributin e disa komuniteteve fetare Shqipëria është një prej rasteve unike të një vendi me besime të ndryshme fetare në të cilat të gjithë anëtarët e shoqërisë, duke përfshirë komunitetet fetare janë edhe mbështetësit e integrimit të saj në ” Bashkimin Evropian . Në vitin 2005, katër bashkësive fetare shqiptare dhe iu dha titulli ” Qytetar Nderi ” , për kontributin e tyre të çmuar, që e ka kthyer Shqipërinë sot një model kur flitet me harmoninë dhe bashkëjetesën mes tyre”.

Ambasadori i Shqipërisë në Itali z. Neritan Ceka duke falenderuar Ambasadën tonë pranë Selisë së Shenjtë, e cilësoi organizimin e këtij takimi shkencor, mbi të gjitha human sepse vjen në vigjilje të vizitës së atit të shenjtë në Shqipëri.

Neritan Ceka – Ambasadori i Shqipërisë n
ë Itali:

“Shqipëria është një model ku bashkëjetojnë të gjithë besimet. Sidomos në këto kohë të vështira kur shohim që ka një rilindje të dhunës kundër atyre që nuk kanë të njëjtën fe”.

Shkrimtari Preç Zogaj solli në vemendje rolin e madh ndikues që letërsia ka luajtur ndër vite në funksion të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare të shqiptarëve në respekt të besimeve respektive. Ai lexoi në gjuhën shqipe disa nga vargjet e poezisë “përpara krishtit” nga Naim Frashëri.

Preç Zogaj – Shkrimtar:

Djalëth  njeriu i Perendisë

Fytyra jote mua më tregon,

Ah, të këqijat e njerëzisë

Që ka punuar dhe po punon.

Se kjo fytyrë

Është pasqyrë

Dhe na rrëfen

E  s’na gënjen

Gjithë ç’ka hequr njeriu i mjerë.

…………

Ti u përpoqe për njerëzinë

Dhe dashurinë  e berë besë

Njeriut vure nom miqësinë

Që kur të lindet  gjersa të vdesë.

“Kjo poezi ka një veçanti të pazakonshme, madje të rrallë. Ajo është shkruar nga një poet shqiptar i besimit mysliman, sekti i bektashinjëve, nga Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqiptarëve, një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Poetët besimtarë apo deistë- të tillë qënë të tre poetët e medhenj të Rilindjes Shqiptare, Jeronin De Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. Poema epike “Lahuta e Malcisë” e poetit kombëtar Gjergj Fishta klerik i udhërit françeskan, është vepra monuentale e plurifetarizmit në besë.

Këto vepra dëshmojnë për tezat utilitare të hedhura nga këta shkrimtarë ideologë në favor të bashksjetesës dhe tolerancës të cilat krijojnë Shqipërinë poetike”.

Në këtë takim shkencor, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike, të komunitetit shqiptar në Itali, profesore të së drejtës kishtare dhe njerëz të artit.

Në ligjeratën e tij, regjizori Roland Sejko, solli arumente dhe fakte mbi persekutimin dhe ekzekutimin që regjimi komunist i ka bërë Klerit katolik.

Dokumentet tregojnë vendimet për ekzekutimin e Pater Xhovani Fausti, Pater Daniel Dajani, Gjon Shllaku e të tjerë përfaqësues të Kishës.

Roland Sejko – Regjisor:

“Përkundrejt besimit katolik pati një sulm të tmerrshëm, ndoshta për faktin se ishin përfaqësuesit më të rrezikshëm në thonjza, për regjimin, duke qenë edhe më të arsimuarit dhe duke pasur një pikë të vetme referimi si Vatikani, të cilin gjithashtu regjimi e konsideronte armik”

Maria Gabriella Belgiorno – Profesore, Fakulteti i Shkencave Politike, Perugia:

“Shqipëria që prej vitit 1990 ka rifituar gradualisht identitetin e saj historik, politik, identitetin kulturor dhe fetar dhe në veçanti ka konfirmuar kohezionin si një vend fetar dhe i vëllazërisë saj historike fetare, që ka origjinë të lashtë, që nga Kanunet. Diversiteti fetar nuk ishte një faktor diskriminues, por vetëm një identitet specifik”.

Konferenca shkencore, u mbajt në sallën kryesore të godinës së Bashkisë së kryeqytetit Italian. Vitaliano Taçioli, Drejtor i Këshillit Bashkiak të Romës, konsideroi si të pazëvendësueshme vlerën e bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Vitaliano Taçioli – Drejtor i Këshillit Bashkiak të Romës:

“Toleranca fetare përbën një akt të madh qytetërimi që duhet njohur Shqipërisë. Jo si kombe të tjera, të cilat çështjet fetare i kthejnë në luftë dhe agresione”

I Peshkvi Donato Oliverio i Dioqezës Eparkia Di Lingro, i komunitetit arbëresh, tregoi se si kleri arbëresh luajti nje rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Donato Oliverio- I Peshkvi i Dioqezës Eparkia Di Lingro:

“Kleri arbëreshe paraqitet si një dukuri e një populli këmbëngulës dhe xheloz në ruajtjen e veçantë të identitetit të veçantë kulturor, ashtu edhe procesin e rritjes dhe afirmimit të të gjithë atyre njerëzve të shquar, të cilët më pas i dhanë jetë lëvizjeve historike politike e letrare që çuan në ringjalljen dhe pavarësinë e Shqipërisë”

Olen Cesari, violinist me famë ndërkombetare luajti posaçërisht për këtë aktivitet “Ave Maria” nga Schubert.

Olen Cesari – Violinist:

“Është një moment historik në të cilin po vjen Papa për herë të dytë në Shqipëri. Fakti që ne këtu në Romë organizojmë një event të tillë është historike dhe kjo. Prandaj isha shumë i lumtur të pranoja ftesën e Ambasadores sonë pranë Vatikanit, që të vija për të performuar diçka të vogël këtu”.

Don Pasquale Ferraro – Koordinator Kombëtar i Kishës për emigrantët shqiptarë në Itali:

“Papa, tani i jep rëndësi Shqipërisë. Konfirmon atë që Shqipëria po jeton, domethënë se besimi në Shqipëri është diçka e pastër”.

Majlinda Dodaj – E ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vatikan:

“Sekretari e pranoi me kënaqësi ftesën, pasi do të jetë ai që do e shoqërojë Papën në Shqipëri. Mbrëmë ai më komunikoi që do të jetë patjetër, sepse donte të ishte në mes të shqiptarëve. Ata po e presin si shqiptarët në Shqipëri, por janë edhe ata këtu në Itali që nuk kanë mundësi të shkojnë ata ditë dhe të jenë prezent dhe ta shikojnë Papën nga afër në vendin e tyre.

Pyetjes se përse Papa zgjodhi Shqiperinë? Besoj se sot një përgjigje të vogël e dhamë. Natyrisht nuk është vendi dhe nuk është qendra e fuqisë as politike dhe as ekonomike. Papa Françesku gjen një popull që ka kaq shumë për të ofruar, bashkëjetesë fetare, tolerancë, që i shoqëron ndër shekuj”.

Konferenca, ku ishte i pranishëm një pjesë e madhe e trupit diplomatik të akredituar në Vatikan dhe përfaqësues të mediave, u përmbyll më nje koktejl.

Gazetare: Daniela Kostandini