Sot në rubrikën “Shihemi ne Gjyq”, tek “E Diela Shqiptare” që transmetohet në Televizionin Klan, ishin dy motra nga Elbasani.

Mejremja, e cila është ndarë pas një bashkëjetese 10-vjeçare, nuk ka ku të qëndrojë dhe ka ftuar të motrën e saj, Merushen, për t’i kërkuar ta marrë në shtëpi.

Por Merushja, e cila është martuar për herë të dytë i thotë së motrës se nuk ka çfarë t’i bëjë pasi ka bashkëshortin dhe fëmijët e saj nga dy martesa.

Në çastet e fundit të seancës së ndërmjetësimit, Zonja Eni i kërkoi një premtim Merushes që të bëjë diçka dhe të mos e lërë në mes të katër rrugëve motrën e saj.

Merushja nuk foli dot, porse Zonja Eni teksa pa sytë e saj të mbushur me lot tha se “heshtja flet më shumë se fjalët. Ta mbyllim këtu dhe ajo do të bëjë diçka.”

Por, ky nuk është halli i vetëm i Mejremes. Bashkëjetuesi i saj për rreth 10 vite, Bashkimi, i kontaktuar nga stafi i “E Diela Shqiptare” ka mohuar se e njeh atë lërë më të ketë bashkëjetuar.

Tani për Mejremen duhet të fillojë një kalvar i gjatë gjyqësor në përpjekje për të siguruar dëshmitarë dhe për të marrë dëmshpërblim për mundin e saj 10-vjeçar në shërbim të Bashkimit.

Ajo ndjehet e mashtruar nga Bashkimi, i cili nisi bashkëjetesën më të kur ishte rreth 55 vjeç, ndërsa Mejremja 38.

Merushja thotë se bashkëjetuesi e ka përdorur Mejremen si “pastruese dhe si lavatriçe”, ndërsa Mejrmeja nuk ia fal Bashkimit faktin që e ka gënjyer vazhdimisht lidhur me dëshirën e saj për tu bërë nënë.

Ajo e akuzon atë se nuk dëshironte fëmijë të tjerë pasi i kishte pesë fëmijë nga martesa e mëparshme dhe gjithmonë e kishte gënjyer se do të bënin një fëmijë por kurrë nuk ndodhi.

Fillimisht i kishte thënë se kishte probleme, por mjekët ia bënë të qartë se ajo nuk kishte asnjë problem. /tvklan.al