E enjtja e katërt e muajit Nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet zyrtarisht si Dita Kombëtare e Falenderimeve dhe festohet nga qytetarët amerikanë me familjarët për të falenderuar Zotin, Jetën, Miqtë dhe të Afërmit. Një pjesë e shtetasve amerikanë që shërbejnë dhe punojnë në Shqipëri, zgjodhën që këtë festë tradicionale amerikane ta ndajnë me përfituesit e qendrave sociale në Tiranë.

Festës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të ABI Bank, Andi Ballta, anëtarin e bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, drejtoreshën ekzekutive të Dhomës Amerikane, Enida Bezhani si dhe biznesmenë e anëtarë të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane, i shërbyen një drekë të veçantë njerëzve në nevojë që frekuentojnë qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat.

Në urimin e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ditë të tilla janë një mundësi shumë e mirë për të njohur nga afër traditat, zakonet dhe vlerat kulturore që vendet tona përcjellin te njëri-tjetri, por edhe një mënyrë për të shërbyer dhe për të dhënë ndihmën për zgjidhjen e një problemi.

“Dua t’i falenderoj të gjithë këta miq sepse në Shqipëri kështu janë ndarë gjërat: Ca njerëz thonë, shiko ku është problemi, shiko ku është varfëria, shiko ku është nevoja, ndërsa të tjerë thonë: po, ky është problemi, por më ndihmo ta zgjidh. Kështu që Andi, Marku, miqtë e tjerë vullnetarë thonë: këtu ka një problem, këtë do bëj sot të dobishme. Kështu që, u jam shumë mirënjohës gjithë atyre njerëzve si miqtë tanë, të cilët kur shikojnë një problem, vrapojnë që ta zgjidhin dhe jo të shajnë kush e ka fajin. Kjo është mënyra se si mund ta bëjmë Tiranën më të mirë. Sa herë ka një problematikë të themi çfarë mund të bëjmë dhe jo të vendosim gishtin”,

tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai shprehu mirënjohjen për bizneset dhe të rinjtë amerikanë që preferuan që këtë ditë feste ta kalojnë duke u shërbyer njerëzve në nevojë të Tiranës.

“Jam shumë i lumtur sot që na u bashkuan kaq shumë miq, këtu në qendrën sociale. Dita e Falenderimeve është një festë amerikane, megjithatë për ne që kemi qenë studentë në Amerikë ose kemi jetuar aty, kjo festë na ka shoqëruar gjithë jetën. Është gjithmonë e enjtja e fundit e nëntorit, një mënyrë për të thënë faleminderit. Faleminderit Zotit, familjes, shoqërisë. Unë sot kam shumë falenderime për të dhënë, falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që na japin çdo ditë besim, që na japin çdo ditë kurajo, që na japin çdo ditë mbështetje”

, tha Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i ABI Bank, Andi Ballta, falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë bashkëpunim dhe u shpreh se ditë të tilla shërbejnë që njerëzit të takojnë njeri-tjetrin.

“Dita e Falënderimeve për mua është një ditë shumë e veçantë, është dita kur mblidhesh rreth tavolinës, ha ushqim me njerëz që nuk i ke takuar për një kohë të gjatë dhe çfarë është më mirë se sa të vish dhe të takosh njerëz me kaq pozitivitet, që e shikojnë jetën përditë në mënyrë pozitive, me optimizëm dhe vijnë dhe gjejnë kënaqësinë në një komunitet që i do shumë. Ishte kënaqësi që e ndamë këtë ditë më këta zotërinj dhe zonja të mrekullueshme

”, tha drejtori i Përgjithshëm i ABI Bank.

/tvklan.al