UKT dhe Bashkia e Tiranës janë angazhuar në përballimin e situatës së emergjencës që ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur. Grupet e Task-Forcës prej ditës së sotme janë shpërndarë në terren, ku po bëjnë monitorimin e situatës dhe evidentimin e të gjitha rasteve të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet, si dhe të shpërdorimit të ujit.

Në një njoftim për mediat sqarohet se, fokusi i tyre kanë qenë linjat e transmetimit në periferi të Tiranës si Paskuqani, Kashari, Mëzes, Shkoza, Babrruja etj, si dhe rrjeti i shpërndarjes brenda në qytet, përfshi subjektet private dhe shtëpitë që kanë bahçe dhe lulishte. Në ditët e para të këtij aksioni, grupet e Task-Forcës kanë evidentuar një sërë rastesh të lidhjeve të paligjshme dhe të përdorimit të ujit të pijshëm për qëllime të tjera, kryesisht për ujitje të tokave dhe të mbjellave bujqësore.

Nuk kanë munguar as rastet e tjera të shpërdorimit të ujit të pijshëm për larje të rrugëve apo ambienteve të tjera private. Grupet e punës pasi kanë bërë prerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjet, kanë vendosur një sërë gjobash për të gjithë shkelësit e ligjit dhe abuzuesit me ujin.

Ndërkohë, grupet e Task-Forcës, duke filluar që nga dita e nesërme, për çdo rast të shpërdorimit që do të konstatohet, do të do të bëjnë edhe denoncimin në organet kompetente.

Shqipëria në fakt nuk është e vetmja që po vuan thatësirën e zgjatur të shoqëruar me temperatura të larta dhe mungesën e ujit të pijshëm, pasi edhe shumë vende evropianë si Italia, Britania e Madhe apo Irlanda janë përfshirë nga vala e të nxehtit, ndërsa janë përballur me një krizë të furnizimit me ujë të pijshëm, duke i detyruar autoritetet që të marrin masa ekstreme për përballimin e situatës./tvklan.al