Edhe banorët e zonës së ish Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, do të kenë shumë shpejt rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza. Punimet u inspektuan nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

“Duke ardhur në këtë rrugicë, ujërat e zeza që dilnin nga banesat shkonin në gropa septike të tejmbushura, çka nuk ishte aspak një gjendje dinjitoze për qytetarët. Ndaj më vjen mirë që, përveçse kemi rritur furnizimin me ujë të pijshëm, sigurohemi që edhe ujërat e zeza të kenë kanalizimet e nevojshme. “

Puna e mirë e ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve sipas kryebashkiakut, ka çuar kërkesa të kompanive të ndryshme për ta privatizuar, por gjithçka është në fazë negociatash.

“Kemi marrë disa oferta dhe shprehje interesi. Ky është një kompliment për punën e UKT-së, është e para kompani nga 61 ujësjellësit e bashkive të reja që merr një vlerësim të tillë dhe po kuotohet në treg, falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët.”

Ai siguroi se privatizimi i ndërmarjes së ujësjellësit nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit për konsumatorët.

Tv Klan