Përveç aktivitetit fizik, e rëndësishme për një jetë të shëndetshme është edhe të ushqyerit mirë. Krahas ndërtimit të këndeve të lojërave, palestrave e ambienteve sportive nëpër shkolla, Bashkia e Tiranës promovon edhe nismën “Buka n’strajc”, e cila synon të nxisë të ushqyerit shëndetshëm për fëmijët. Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shërbeu një grupi fëmijësh ushqim bio me prodhime vendase, duke u bërë apel prindërve që të përdorin sa më shumë ushqime të pasura me vitamina dhe kalori dhe sa më pak produkte të konservuara që nxisin sëmundjet e mbipeshës.

Para 25 vitesh, problemi kryesor në Shqipëri ishte se s’kishim mjaftueshëm për të ngrënë. Problemi që kemi sot është se hamë më shumë se ç’duhet dhe obeziteti është sëmundja kryesore e fëmijëve. Ndaj, duam të nxisim prindërit me nisma të tilla, duke shkuar në çdo oborr shkolle, në pushim të madh, për t’u thënë: Mos i ushqeni më fëmijët me patetina, me pije të gazuara me shumë sheqer, por ushqimi i shëndetshëm, buka me vete, është mënyra më pak e kushtueshme, por edhe më shumë e shëndetshme për të pasur një Tiranë, e cila vlerëson shëndetin te fëmijët, që ushqehet me të gjitha kaloritë dhe nesër nuk rritet si klient spitalesh, por si një qytetar i shëndetshëm i Tiranës

”, tha Veliaj.

 Nisma “Buka n’strajc” vjen si ndërgjegjësim për prindërit, të cilët duhet t’ua japin bukën me vete fëmijëve të tyre, të gatuar me prodhime bio që në shtëpi, në mënyrë që ata të mos blejnë dhe përdorin ushqime të gatshme dhe të konservuara. “Gjenerata e re është në fakt paja e Tiranës. Në qoftë se ne i inkurajojmë fëmijët të hanë shëndetshëm, të hanë produkte organike, besoj se mund të kemi një qytet shumë herë më të mirë se qyteti që kemi sot”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës.

 Ai kërkoi që edhe restorantet apo ambulantët që shesin pranë shkollave dhe këndeve të lojërave të përdorin vetëm ushqime të shëndetshme, duke dekurajuar përdorimin e ushqimeve të gatshme dhe të paketuara.