Këto ditë, dy blloqet e banimit përgjatë rrugës “Dhimitër Kamarda” në lagjen “Ali Demi” janë kthyer në kantier të rikualifikimit urban, në të cilin Bashkia e Tiranës po investon për krijimin e hapësirave të reja çlodhëse për banorët. Projekti i nisur nga Bashkia e Tiranës parashikon rikonstruksionin e të gjitha rrugëve të lagjes, shtimin e gjelbërimit, por edhe krijimin e një këndi lojërash për fëmijë, fushat e volejbollit dhe basketbollit, si edhe hapësira për të moshuarit.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, inspektoi punimet në terren dhe theksoi se kjo është një nga 50 lagjes e Tiranës, ku bashkia po ndërhyn për urbanizimin e të gjithë zonës. Puna e nisur me infrastrukturën e qytetit, tha Veliaj, po vijon me hapësirat për më të vegjlit e të moshuarit.

Veliaj tha se punimet do të mbyllen brenda afatit 6 mujor, me synimin që banorët të kenë gati infrastrukturën e re brenda vitit. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të pranojnë edhe ngushtimin e oborreve të tyre, në mënyrë që të krijohen hapësirat e nevojshme për trotuare apo gjelbërim, të cilat do të jenë në shërbim të të gjithëve.

veliaj-2

Ai pohoi se ky investim do t’i sjellë kësaj zone jo vetëm urbanizim, por edhe më shumë civilizim, si dhe rritje të vlerës së pronës.

Zona në të cilën po zbatohet ky projekt zë një sipërfaqe prej 3.1 hektarë dhe ndodhet në pjesën lindore të qytetit të Tiranës. Ky objekt përfshin rikualifikimin e dy blloqeve dhe rikonstruksinin e rrugës “Dhimiter Kamarda”. Kjo është një zonë me ndërtime 5 katëshe para viteve 1990. Ndërsa, rruga ”Dhimitër Kamarda” ka një gjatësi prej 831 ml, është e konturuar në përgjithësi me ndërtesa të ulta dhe lidh 2 blloqet me rrugën “Idriz Dollaku”./tvklan.al