Deklaratat në dy intervista të ndara të kryeministrit, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se shqiptarët mund të bashkohen nëse mbyllen dyert e integrimit në Bashkimin Europian, ngjallën reagimin zyrtar të Rusisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, ministria ruse e Punëve të Jashtme dënoi këto deklarata, për të cilat u shpreh se cenojnë stabilitetin e Ballkanit. Në njoftim thuhet ndër të tjera se ekziston një Projekt i “Shqipërisë së Madhe”, i cili gjendet edhe në kushtetutën e shtetit shqiptar, që i jep të drejtën Tiranës të mbrojë shqiptarët jashtë kufijve. Pas maskës së bisedimeve hipokrite për stabilitetin e rajonit nën çadrës së NATO-s, themelet e vërteta të këtij stabiliteti po tronditen, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare.

Sipas diplomacisë ruse, krahas Tiranës dhe Prishtinës projekti i “Shqipërisë së Madhe” u mbështet edhe nga kryetari i komunës së luginës së Preshevës, Jonuz Musliu për rishikimin e kufijve. Moska akuzon Shqipërinë edhe për ndërhyrje në çështjet e Maqedonisë, me të ashtuquajturën “Platformë të Tiranës.”

I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë pasi spekulimet për rishikim të kufijve janë të papranueshme, mbyllet njoftimi i ministrisë së jashtme ruse.

Pak ditë më parë edhe Serbia reagoi zyrtarisht, duke akuzuar BE se po hesht ndaj këtyre deklaratave./Tv Klan